Një rast i armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armës së zjarrit është raportuar mbrëmjen e së shtunës në Lipjan, rreth orës 21:00.
Sipas dëshmisë së një qytetari, një person i panjohur kishte hyrë në oborrin e fqinjit të tij, ku më pas e kishte kërcënuar dëshmitarin duke i thënë të largohej nga vendi.
I dyshuari dyshohet se ka shtënë tri herë me armë zjarri në ajër, përpara se të largohej në drejtim të panjohur.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm si prova materiale.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, ndërsa rasti është cilësuar si “armëmbajtje pa leje”. /Telegrafi/
