
Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar ditën e sotme në Vlorë.
Në pranga ka rënë K. K. 30 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle me akuzën për trafik narkotikësh.
I arrestuar akuzohet se në bashkëpunim ka trafikuar në Spanjë 82.84 kh kokainë të fshehur në një kontejner, lëndë e sekuestruar në shkurt të këtij vitit në portin e Vigos në Spanjë.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohet nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, faza e 93-të e operacionit të koduar “Operacionalja”.
Kapet në Vlorë, pjesëtari i një grupi kriminal që akuzohet për trafikim të një kontejneri me 82.84 kg Kokainë, sekuestruar më datë 05.02.2026, në portin e Vigos, në Spanjë.
Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit, ndërmjet homologëve spanjollë dhe shërbimeve të DFPO-së, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u finalizua operacioni i koduar “Operacionalja 93”.
Gjatë kësaj faze u lokalizua në Vlorë, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi K. K., 30 vjeç, i lindur në Vlorë.
Për këtë shtetas, autoritetet gjyqësore në Spanjë, më datë 03.03.2026, kanë lëshuar urdhër arresti, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
30-vjeçari akuzohet se ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë, për të trafikuar në Spanjë, 82.84 kg Kokainë, fshehur në një kontejner. Lënda narkotike u sekuestrua nga Policia spanjolle, më datë 05.02.2026, në portin e Vigos, ku gjithashtu u arrestuan në flagrancë, gjatë përpjekjes për të nxjerrë ngarkesën, 2 shtetas.
Nga hetimet dyshohet se roli i 30-vjeçarit ka qenë vëzhgimi i kontejnerit, nga jashtë terminalit. Ai është larguar fillimisht drejt Katalonjës, dhe, 11 ditë pas ngjarjes, ka ikur në Itali.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 30-vjeçarit.
