
Pas një investimi të rëndësishëm , Muzeu Arkeologjik i Durrësit vjen i transformuar, me hapësira moderne dhe funksione të reja në shërbim të vizitorëve.Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, thekson se rikonstruksioni ka sjellë një riorganizim të plotë të ambienteve, duke e kthyer muzeun në një hapësirë bashkëkohore ekspozimi dhe edukimi.
“Tashmë, muzeu funksionon në tre kate të mirëstrukturuara, ku çdo kat i dedikohet periudhave dhe tematikave të ndryshme të trashëgimisë arkeologjike”, tha Alban Ramohitaj, drejtor i Qendres Muzeore Durrës.
Një nga risitë më të veçanta është krijimi i këndit “Arkeologu i vogël”, një hapësirë edukative e dedikuar për fëmijët, që synon t’i afrojë ata me historinë përmes lojës dhe ndërveprimit.Po ashtu, muzeu është pajisur me ambiente të posaçme për ekspozita të përkohshme dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore, duke e shndërruar atë në një qendër dinamike për evente dhe promovim të trashëgimisë.
Me këto risi, Muzeu Arkeologjik i Durrësit synon të tërheqë një numër edhe më të madh vizitorësh, duke u pozicionuar si një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.
