E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Trump sheh një marrëveshje të mundshme me Iranin brenda “një jave”

Image

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, beson se një marrëveshje e mundshme me Iranin mund të finalizohet brenda “një jave”.

Gazetari Bret Baier i Fox News tha se realizoi një telefonatë me presidentin Trump dhe theksoi se “ai është optimist për këtë marrëveshje, këtë memorandum mirëkuptimi, mendon se do të çojë në gjëra të tjera”.

“Epo, pata një telefonatë me presidentin pak më parë, dhe ai është optimist për këtë marrëveshje, këtë memorandum mirëkuptimi, mendon se do të çojë në gjëra të tjera”.

“Ai është i kujdesshëm optimist, duhet ta them… e pyeta për afatin kohor dhe ai tha se brenda një jave mund të përfundohet gjithçka”, tha Baier gjatë një transmetimi live, shkruan Anadolu Agency.

Siç vë në pah AA, presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur një qasje në pritje ndaj përpjekjeve për të arritur një fund të përhershëm të luftës që ai nisi së bashku me Izraelin kundër Iranit, duke deklaruar se po pret të shohë nëse Teherani do të pranojë një marrëveshje “të kënaqshme”.

“Po ecim shumë mirë me Iranin. Gjithçka po shkon shumë qetë dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Ata duan të bëjnë marrëveshje, duan të negociojnë”, tha Trump gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë.

“Do të shohim nëse mund të arrijnë një marrëveshje që është e kënaqshme për ne. E kemi situatën shumë nën kontroll”, shtoi ai.

Më herët, Trump në një intervistë për transmetuesin amerikan PBS tha se çdo marrëveshje duhet të përfshijë transferimin nga Irani të rezervave të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë drejtpërdrejt në SHBA dhe se Teherani duhet të ndalojë të gjitha aktivitetet në objektet bërthamore nëntokësore.

Derisa Trump shprehu optimizëm se një zgjidhje “është shumë afër”, ai dha edhe një paralajmërim të ashpër.

“Nëse bien dakord, gjithçka përfundon dhe nëse nuk bien dakord, ne bombardojmë”, ka paralajmëruar presidenti amerikan. /AA/Telegrafi/

InfoShqip