E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Valon Murati ironizon me Kurtin: Iu paska drejtuar mërgatës -votomëni s’e s’po më lënë të punoj

Valon Murati 2

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Valon Murati konstaton se është e “çuditshme dhe e pabesueshme”, se si kryeministri Kurti po i kërkon vota mërgatës me arsyetimin “se opozita nuk po e lë të punojë”.

“Njeriu më i votuar në Kosovën e pas pavarësisë, me mbi 50% të votave dhe Kuvendit të Kosovës, konstaton se opozita nuk po e lë të punojë dhe se do edhe më shumë vota”, shprehet Murati.

Reagimi i tij i plotë:

Nuk po më lënë të punoj! Apo a do ta takojë kryeministri Godon!

Sot kryeministri Kurti iu paska drejtuar bashkatdhetarëve me një porosi të qartë: regjistrohuni për të më votuar, se nuk po më lënë të punoj! E çuditshme, e pabesueshme! Njeriu më i votuar në Kosovën e pas pavarësisë, me mbi 50% të votave dhe Kuvendit të Kosovës, konstaton se opozita nuk po e lë të punojë dhe se do edhe më shumë vota.

M’u duk ironi e kohës dhe m’u kujtua, kur në vitet 1990’ angazhoheshim për organizimin e luftës çlirimtare, duke e besuar se ishte rruga e vetme drejt lirisë. Paramendoni të ankoheshim se nuk po na lë Serbia të organizohemi për liri. Apo se nuk po na lënë partitë politike legale pacifiste, shumica absolute e të cilave si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe në tërë trevat e tjera ishte kundër politikës së luftës së armatosur, e rrjedhimisht edhe shumica e popullit dhe opinionit publik besonte në rrugën e politikës pacifiste.

Vetëm se ne nuk kërkonim vota, por përkrahje për zgjerimin e organizimit të rezistencës së armatosur. Dhe jo nuk u ankuam, edhe kur shokët u burgosën, u vranë e u plagosën. Punuam e luftuam deri në lirinë e Kosovës. Edhe atë duke e pasur një masë kritike pro luftës shumë të vogël, sidomos në fillimet e saj. Pakrahasimisht më të vogël se kryeministri Kurti në Kosovën e lirë e me të gjitha institucionet ekzekutive e legjislative në duart e tij.

Por jo ai do më shumë vota, për të punuar. Absurdi i tillë do ta kishte frymëzuar sërishmi edhe Becketin, sepse kjo kërkesa për më shumë vota për të punuar i ngjanë pritjes së përjetshme për arritjen e Godos. As puna nuk vjen me më shumë vota, e as Godoja nuk shfaqet në horizont.

The post Valon Murati ironizon me Kurtin: Iu paska drejtuar mërgatës -votomëni s’e s’po më lënë të punoj appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip