Nuk është përfundimtar vendimi i Prokurorisë për ndërprerjen e hetimit lidhur me dyshimet për keqpërdorime me furnizimin e mazutit. Nga Prokuroria sqarojnë shkurt se pala e cila pretendon se është e dëmtuar, në këtë rast EMV ka të drejtë që ta ankimojë vendimin në Prokurorinë e Lartë e cila më pas duhet të veprojë ndaj ankesës. Ndërkohë nga EMV, deklarohen se sapo ta marrin vendimin do të dorëzojnë ankesë për të rikthyer hetimin për lëndën që dyshohet se janë keqpërdorur mbi 167 milionë euro nga ana e disa biznesmenëve dhe udhëheqësve të institucioneve.
“Ekipi ligjor i kompanisë tanimë i ndërmerr të gjitha aktivitetet përgatitore, do të dorëzojë ankesë përkatëse, menjëherë pas pranimit zyrtar të vendimit. Sh.A. EMV do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjore të cilat i kemi në dispozicion për mbrojtje të interesit të kompanisë”, thonë nga EMV.
Ndërkohë LSDM kërkon dorëheqjen e kryeprokurorit Nenad Saveski, i cili pasi ishte mbyllur hetimi nga ana e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kishte biseduar në telefon me kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Kryeministri dhe prokurori dakordohen përmes telefonit për lëndë dhe rrjedhojën e hetimit. Mickoski porosit, Saveski realizon. Dëgjuam si Mickoski ndan detyra nga foltorja e Kuvendit, me ndjenjat e tij dëgjuam si eliminon prokurorë të pavarur nga televizioni, ndërsa tani edhe përmes telefonit ndan detyra. Ja kështu duket gjyqësori dhe prokuroria e partizuar në Maqedoni. Kështu duken “reformat” e Mickoskit dhe grupit të organizuar kriminal VMRO”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, LSDM.
Lidhur me akuzat për ndërhyrje të kryeministrit në Prokurori, presidentja Gordana Siljanovska Davkova thotë se nuk e di nëse biseda ka qenë private apo zyrtare.
“Unë nuk mund të them për çfarë komunikimi telefonik pasi nuk kam qasje në komunikimet telefonike…”.
“Nuk mundem të gjykoj etikë, nuk e di, ndoshta janë miq dhe janë dëgjuar “përshëndetje si jeni, si shkon puna”. Domethënë nuk mundem unë të vlerësoj diçka që nuk e di, por ju gazetarët keni të drejtë të pyesni, se për çfarë natyre ishte biseda”, tha Gordana Siljanovska Davkova.
Për mbylljen e hetimit dje reagoi edhe ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, i cili e cilësoi si goditje të rëndë ndaj besimit të qytetarëve në gjyqësor. Ashtu si Mickoski, edhe ai kërkoi rishqyrtim të vendimit, ndërkohë që Këshilli i Prokurorëve ka paralajmëruar se do ta hapë çështjen në seancë.
Arsyet e mbylljes së hetimit sipas Prokurorisë janë se nuk kanë gjetur prova për krimin e pretenduar ku të dyshuar ishin 13 persona, mes tyre pronari i “Pucko Petroll”, Asmir Jahoski, pronarët e kompanisë “RKE” Erxhan Sulkovski dhe Ratko Kapushevski, përfshi edhe ish drejtorin e Elektranave të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski i cili aktualisht ndodhet në arrati, por edhe ish drejtori Ardian Muça./Alsat/
