Barcelona ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Celta Vigos me rezultat 1-0, në ndeshjen e javës së 32-të në La Liga, duke forcuar kryesimin dhe duke u afruar edhe më shumë me titullin e kampionit.
Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 40-të, kur Yamal e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë për 1-0 nga pika e bardhë.
Por gëzimi u zbeh pak më vonë, pasi sulmuesi i ri u detyrua të largohej i dëmtuar në minutën e 45+9, duke u zëvendësuar nga Roony Bardghji.
Takimi pati edhe një ndërprerje të gjatë në fund të pjesës së parë, që e zgjati fraksionin e parë deri në minuta të pazakonshme, shkak se një tifoz u alivanos.
Në pjesën e dytë, Barcelona mendoi se e vulosi fitoren në minutën e 55-të, kur Ferran Torres përfitoi nga një krosim i saktë në zonë dhe shënoi me një goditje të fuqishme në rrjetë për 2-0. Por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje në ndërtim të aksionit.
Me këtë fitore, Barcelona shkon në 82 pikë, ndërsa kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund, e rrit epërsinë ndaj Real Madridit në nëntë pikë (Reali ka 73), duke qenë gjithnjë e më pranë titullit të kampionit. /Telegrafi/

