
Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka dalë me njoftim për rastin e rëndë që ndodhi në emergjencën e këtij institucioni ku një foshnje vdiq në toalet.
Spitali tha se nëna e foshnjës është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe në një moment ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.
“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike. Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore”, tha spitali.
Sapo është konstatuar rasti, spitali tha se stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.
Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, Spitali i Ferizajt tha se foshnja ka ndërruar jetë.
“Lidhur me rastin, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë iniciuar hetimet. Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore. Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”.
Në fund, spitali tha se për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe respektimit të privatësisë së palëve të përfshira, për momentin nuk mund të ofrohen detaje shtesë.
The post Versioni i Spitalit të Ferizajt: Pacientja e mbylli derën në tualet dhe e hodhi foshnjën e saj në kosh, u përpoqëm ta shpëtonim appeared first on Gazeta Express.
