E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Viti i parë i Papa Leo XIV – tradita dhe angazhimi për paqen

Image

Ai vesh rroba më formale dhe tradicionale sesa paraardhësi i tij dhe, përveç kësaj, Papa Leo XIV, ndryshe nga Papa Françesku, jeton sërish në Pallatin Apostolik, lart mbi Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Gjithashtu, gjë që Françesku nuk e bëri kurrë, ai herë pas here tërhiqet në rezidencën verore papnore të Castel Gandolfo.

Kur bëhet fjalë për tiparet e jashtme, kardinali amerikan Robert Prevost, i cili u zgjodh kreu i Kishës Katolike nga konklava më 8 maj 2025 dhe që mori emrin Leo XIV, sillet në shumë mënyra ndryshe nga paraardhësi i tij.

Ku po e udhëheq Kishën?

Megjithatë, kur bëhet fjalë për drejtimin programatik, teologjik dhe kishtar-politik, ai mbetet ende i paqartë. Deri më tani nuk ka asnjë enciklikë apo ndonjë dokument të rëndësishëm mësimor nga Papa Leo, theksoi historiani i kishës nga Augsburgu, Jörg Ernesti, në një intervistë për DW.

Kështu, “mbetet e hapur se ku po e çon ai Kishën në aspektin teologjik”. Fjalët e para që Leo tha më 8 maj 2025, disa orë pas zgjedhjes së tij nga lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit, ishin: “Paqja qoftë me ju të gjithë!”. Asnjë term nuk u përsërit më shpesh në atë fjalim sesa fjala “paqe”.

Leo mbështeti “një paqe të paarmatosur dhe çarmatosëse, të përulur dhe këmbëngulëse”. Në këtë mënyrë, ai ndoqi kryesisht linjën e paraardhësit të tij, i cili kishte folur vazhdimisht për sulmin rus ndaj Ukrainës dhe konfliktin në Gaza.

Politika e jashtme veçanërisht e militarizuar e presidentit amerikan Donald Trump i jep motivit të paqes një rëndësi shtesë – ndërhyrjet amerikane në Venezuelë, kërcënimet ndaj Kubës dhe Grenlandës, si dhe tensionet me Iranin. Kohët e fundit, përplasjet rreth Iranit, programit të tij bërthamor dhe rrezikut për konflikt ndërkombëtar, çuan në një përplasje të hapur mes dy figurave të rëndësishme amerikane: Papës, i cili flet kryesisht me maturi, dhe Presidentit, i cili vepron në mënyrë të ashpër.

Në lidhje me Iranin, Trump kërcënoi hapur me pasoja të rënda, duke deklaruar se “e gjithë qytetërimi mund të zhduket”. Kur Papa e cilësoi këtë retorikë si “të papranueshme” dhe paralajmëroi kundër “fantazive të fuqisë absolute” që po bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme dhe agresive, Trump reagoi duke e sulmuar personalisht.

Ai e quajti Papën “shumë të majtë” dhe, në aspektin e politikës së jashtme, “të tmerrshëm”. Ndoshta Trump po injoron rëndësinë e Venezuelës, Kubës, por edhe të Libanit për Kishën Katolike. Të tre këto vende kanë traditë të fortë katolike.

Sulmi ndaj Papës: “As Hitleri, as Musolini, as Napoleoni”

Historiani i kishës Ernesti, i cili ka shkruar shumë libra mbi papatin, e quan sulmin e Trump ndaj Leos të paprecedentë. “Askush nuk ka folur kurrë kaq përçmues për një Papë: as Hitleri, as Musolini dhe as Napoleoni.”

Sipas tij, është “krejtësisht e pakuptueshme” të kundërshtohet një autoritet moral si Papa. Ernesti vlerëson se Leo reagoi me qetësi dhe maturi, duke kërkuar dialog. Më vonë, Papa u tha gazetarëve gjatë një udhëtimi për në Afrikë se nuk kishte frikë nga Trump.

Sulmi i presidentit amerikan bëri që deklaratat kritike të Papës, të bëra gjatë një fjalimi në Castel Gandolfo, të marrin vëmendje globale. Në këtë kontekst, rritja e interesit për fenë në disa vende perëndimore, përfshirë SHBA-në, mund të ketë ndikuar gjithashtu.

Polemika e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance me Papën mori më pak vëmendje, por mund të jetë më domethënëse në plan afatgjatë. Vance, i konvertuar në katolicizëm në vitin 2019, i kërkoi Papës të tregonte kujdes në deklaratat teologjike, duke sugjeruar se Vatikani duhet të fokusohet më shumë në çështje morale. Më vonë, ai e zbuti tonin.

Pa kundërshtime ndaj Evropës – deri tani

Ndryshe nga paraardhësi i tij, fjalimet dhe deklaratat e Papa Leos nuk përmbajnë kritika ndaj Evropës apo Kishës në vendet evropiane. Papa Françesku herë pas here ka përdorur tone të ashpra, duke e akuzuar Evropën për lodhje dhe mbyllje. Deri tani, Leo ka mbajtur një qëndrim më të butë ndaj përfaqësuesve evropianë.

Në qershor ai pritet të vizitojë Spanjën për një udhëtim gjashtëditor.

Megjithatë, duket qartë se Afrika është veçanërisht e rëndësishme për të – si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në vëmendjen e tij. Në prill 2026 ai vizitoi katër vende afrikane për njëmbëdhjetë ditë, duke kaluar më shumë kohë në Afrikë se Benedikti XVI gjatë gjithë papatit të tij.

Afrika po kalon Evropën

Sipas ekspertit Ernesti, ky është një “vendim i vetëdijshëm” i Papës. Për 150 vjet, Afrika ka qenë në fokusin e papëve.

Sot, Kisha në Afrikë po rritet me rreth tre për qind në vit, ndërsa në Evropë po stagnon. “Qendrat e gravitetit të Kishës Katolike po zhvendosen”, thotë Ernesti. Gjithnjë e më shumë afrikanë po punojnë në Vatikan, dhe kjo pasqyron edhe vizionin global të Papës për Azinë dhe Amerikën Latine.

Që nga përplasja mes Trump dhe Papës, shumë vëzhgues nuk presin më që Papa i lindur në Çikago të vizitojë SHBA-në gjatë presidencës së tij.

Vatikani, ndërkohë, po jep sinjale të tjera. Në vend të pjesëmarrjes në 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, Papa Leo pritet të vizitojë ishullin e Lampeduzës – një simbol i krizës së migracionit që nga vizita e Papa Françeskut në vitin 2013.

Edhe programi i vizitës së tij në Spanjë përfshin ndalesa në Gran Canaria dhe Tenerife, ishuj ku mbërrijnë gjithnjë e më shumë refugjatë nga Afrika. Papa pritet t’i kushtojë vëmendje gjendjes së tyre dhe të theksojë se migrimi dhe fati i refugjatëve mbeten çështje urgjente globale.

InfoShqip