Policia e Shtetit ka bërë ditur se ka arrestuar një 17-vjeçar në Tiranë për vjedhjen e një varëse floriri në vlerë rreth 12 mijë në një qendër tregtare.
Policia thekson se arrestimi i tij u bë si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale.
“Vodhi varëse floriri me vlerë rreth 12 000 euro në një argjendari në një qendër tregtare, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 17-vjeçari. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale varëset e vjedhura”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Golds”, pas njoftimit për një vjedhje në një argjendari në rrugën “Abdi Toptani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit të mitur 17 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, ditën e djeshme, ka vjedhur varëse floriri në një argjendari në një qendër tregtare në rrugën ‘Abdi Toptani’, dhe më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes”.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale varëset e vjedhura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/
