E premte, 08 Maj 2026
Lajme

VV lajmërohet si koalicion për zgjedhjet e 7 qershorit – cilat subjekte tjera konfirmuan pjesëmarrjen në garë e cilat jo

KQZ

Në mesnatë ka përfunduar afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, këto obligime kanë vlejtur për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.

“Deri në përfundim të afatit, nga 1 deri më 7 maj 2026, KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, njoftimin për mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe njoftimet për 3 koalicione të përbëra nga 9 parti politike”, ka deklaruar Elezi.

Sipas të dhënave të fundit nga KQZ-ja, partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Socialdemokrate, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Srpska Lista, Yenilikçi Türk Hareket Partisi, Lidhja Demokratike e Kosovës, Fjala, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija, Kosova Demokratik Türk Partisi, Nova Demokratska Stranka, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Kosovski Savez, Partia Balliste, Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale, Partia Liberale Egjiptiane, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Stranka Demokratske Akcije dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, mospjesëmarrjen në zgjedhje e kanë njoftuar Partia Demokratike e Unitetit, Balli Kombëtar i Kosovës, Lëvizja Qytetare Vatra, Bashkimi për Ndryshim Anamorava, Partia e Drejtësisë, Srpski Narodni Pokret, Partia Reforma Demokratike, Aleanca Kosova e Re dhe Nisma Socialdemokrate.

Po ashtu, KQZ-ja ka pranuar njoftimet për formimin e tre koalicioneve: Koalicija VAKAT, i përbërë nga Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan; “Ashkalitë e Bashkuar”, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim; si dhe koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.

Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.

Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

The post VV lajmërohet si koalicion për zgjedhjet e 7 qershorit – cilat subjekte tjera konfirmuan pjesëmarrjen në garë e cilat jo appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip