
Një studim i ri sugjeron se udhëtimi drejt Mars mund të bëhet shumë më i shpejtë se sa mendohej deri më tani, duke reduktuar kohën e një misioni vajtje-ardhje në vetëm 153 ditë.
Aktualisht, me teknologjinë ekzistuese, një udhëtim njëdrejtimësh drejt Planetit të Kuq zgjat rreth nëntë muaj, ndërsa një mision i plotë mund të zgjasë deri në tre vite.
Por studiues nga State University of Northern Rio de Janeiro kanë identifikuar një mundësi të re që mund të shkurtojë ndjeshëm këtë kohë.

Ky skenar bazohet në një fenomen astronomik të quajtur “opozita e Marsit”, që ndodh rreth çdo 26 muaj, kur Toka dhe Marsi ndodhen në të njëjtën anë të Diellit dhe në distancën më të afërt mes tyre.
Studiuesit analizuan opozitat e ardhshme, përfshirë ato të viteve 2027, 2029 dhe 2031, për të parë nëse mund të shfrytëzohen për një udhëtim më efikas.
Një rol kyç në këtë “shkurtore” luan asteroidi 2001 CA21, trajektorja e të cilit kryqëzon orbitat e Tokës dhe Marsit. Sipas llogaritjeve, gjatë opozitës së vitit 2031, një anije kozmike mund të përdorë këtë rrugë për të arritur në Mars në rreth një muaj.


Sipas planit teorik, nisja do të bëhej më 20 prill, mbërritja në Mars më 23 maj, qëndrimi do të zgjaste 30 ditë dhe kthimi në Tokë do të përfundonte më 20 shtator – duke e çuar kohëzgjatjen totale të misionit në 153 ditë.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ky skenar është ekstrem dhe kërkon energji shumë të lartë, duke e bërë atë më shumë një model teorik sesa një plan të menjëhershëm realizimi. Një alternativë më e realizueshme, sipas tyre, është një mision prej rreth 226 ditësh, i cili balancon më mirë kohën dhe kërkesat energjetike.
Ky zhvillim mund të jetë me interes për NASA, e cila synon të dërgojë njerëz në Mars në fillim të viteve 2030. Eksplorimi i këtij planeti mbetet një nga objektivat kryesore, pasi mund të ndihmojë në kuptimin e historisë së Tokës dhe në kërkimin e jetës jashtë saj. /GazetaExpress/
The post Zbulohet një rrugë më e shkurt për të shkuar në Mars – brenda 153 ditësh appeared first on Gazeta Express.
