E diel, 03 Maj 2026
Lajme

10 vite që kur Kosova u pranua në UEFA

Image

Federata e Futbollit të Kosovës bën 10 vite që kur u pranua në shtëpinë e futbollit, UEFA.

Para një dekade, më saktësisht më 3 maj 2016, Kosova u pranua si anëtare në shtëpinë e futbollit, UEFA ndërsa vetëm 10 ditë më vonë në FIFA.

Që atëherë, Kosova ka bërë një ngritje të jashtëzakonshme, ku muajin mars ishim pranë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, por fatkeqësisht humbëm nga Turqia në finalen e play-offit.

Për këtë 10-vjetor, ka shkruar edhe FFK-ja në rrjetin social “Facebook”, ku edhe përmenden arritjet që ka bërë Kosova që nga ajo ditë.

Postimi i plotë:

“Një dekadë në UEFA e FIFA, rrugëtimi i pandalshëm drejt ëndrrës së madhe

Këtë maj, Kosova shënon një moment të paharrueshëm në historinë e saj: 10-vjetorin e anëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Dy data brenda të njëjtit muaj, me peshë të jashtëzakonshme historike. Një jubile që përbën gur-themelin e historisë moderne të futbollit tonë dhe një kapitull të rëndësishëm në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Më 3 maj 2016, në Kongresin e Budapestit, u mbyll një epokë izolimi dhe u hapën dyert e familjes evropiane. Sakrifica e gjatë u shndërrua në krenari, ndërsa shpresa mori formë konkrete në arenën ndërkombëtare të futbollit. Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 13 maj 2016, në Kongresin e FIFA-s në Mexico City, Kosova u pranua edhe në familjen botërore të futbollit. Në kongresin e parë të presidentit aktual Gianni Infantino, Kosovës iu dha mirëseardhje zyrtare, duke vulosur një moment historik të pakthyeshëm.

Që atëherë, rrugëtimi ynë ka qenë i jashtëzakonshëm. Nga pozita e 190-të në renditjen e FIFA-s, sot Kosova renditet e 78-ta, një dëshmi e qartë se kur talentit i jepet mundësia, ai lulëzon dhe shndërrohet në forcë kombëtare.

Çdo hap i kësaj dekade ka qenë i mbushur me emocione, sfida dhe arritje që kanë lënë gjurmë. Ngjitja në Ligën B në UEFA Nations League, fushata e fundit kualifikuese për Botërorin 2026, ku siguruam “play-off”-in në një grup tejet konkurrues, përballjet dinjitoze me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë, si dhe fitorja historike ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale, treguan se Kosova nuk është më një emër i ri, por një realitet serioz në futbollin evropian. Edhe pse finalja ndaj Turqisë nuk përfundoi sipas dëshirës sonë, rrugëtimi i deritanishëm na jep besim të palëkundur se kualifikimi në Euro 2028 tashmë është një objektiv i qartë dhe i arritshëm.

Ky progres nuk kufizohet vetëm te Kombëtarja A. Kombëtarja e vajzave po dëshmon potencialin e saj në Ligën C të kualifikimeve për Botërorin 2027, Kombëtarja U21 ende në garë për Evropian, Kombëtarja e futsallit në “main round’ të Botërorit, ndërsa ekipet e grupmoshave po rriten me hapa të sigurt. Klubet tona, sidomos Ballkani dhe Drita, kanë ngritur imazhin e kampionatit të Kosovës në Evropë përmes sukseseve historike në UEFA Europa Conference League, duke dëshmuar se futbolli kosovar ka filluar të shkruajë kapituj të rinj edhe në nivel klubesh.

Paralelisht me sukseset në aspektin sportiv, falë mbështetjes nga programet “UEFA HatTrick” dhe “FIFA Forëard” infrastruktura e futbollit ka pësuar transformim të thellë. Kemi ndërtuar selinë moderne të FFK-së, stadiumi “Fadil Vokrri” është bërë me fushë hibride, Kampi Nacional në Hajvali po vjen gjithnjë duke u kompletuar, teksa fushat stërvitore po ndërtohen në të gjithë vendin çdo 45 ditë. Kemi investuar edhe në Kampin për të rinj në Obiliq dhe në Kampin Nacional në Leposaviq. Për 10 vjet kemi ndërtuar mbi 50 fusha futbolli, me bari natyral e artificial, duke krijuar një rrjet të gjerë zhvillimi për gjeneratat e reja.

Në këtë periudhë është avancuar edhe aspekti teknologjik dhe organizativ. Kemi implementuar sistemin VAR në ligën vendore, kemi realizuar projektin e katapultave dhe atë të defibrilatorëve për ruajtjen e shëndetit të futbollistëve, si dhe kemi bërë sigurimin shëndetësor për futbollistët. Përmes sistemit “MyFFK” është bërë digjitalizimi i garave dhe i Lidhjeve Rajonale të Futbollit, derisa tashmë kemi krijuar edhe teknikën dhe ekipin realizues të transmetimit të ndeshjeve, si dhe kemi filluar me “Podcast”, që i paraprinë projektit të FFK TV-së.

Po ashtu, Kosova është bërë vendi i parë në Ballkan që ka nisur me FIFA Akademinë e Futbollit, një projekt që hap horizonte të reja për edukimin dhe zhvillimin e gjeneratave të ardhshme. Kjo akademi nuk është vetëm një program trajnimi, por një garanci për një të ardhme të ndritur. Po ashtu, nga UEFA e FIFA kemi mbështetje edhe për Shkollën e Mesme të Futbollit. E të gjitha këto nuk janë thjesht projekte, por themelet e një futbolli të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Rritja profesionale e administratës së FFK-së, avancimi i gjyqtarëve dhe edukimi i trajnerëve tanë, që së shpejti do të nisin edhe kurset për licencën UEFA Pro, garantojnë se futbolli ynë do të udhëhiqet nga profesionalizmi dhe standardet më të larta evropiane.

Ky 10-vjetor e gjen FFK-në më të fortë se kurrë, me një bazë të gjerë njerëzish që e mbajnë gjallë futbollin tonë:

•14.449 futbollistë e 643 futbolliste të regjistruara;

•1639 trajnerë, prej tyre 422 femra;

•434 gjyqtarë, prej tyre 49 femra;

•3 delegatë të ndeshjeve në UEFA;

•17 gjyqtarë me stemë të FIFA-s;

•1 vëzhgues të gjyqtarëve në UEFA;

•4 zyrtarë në Komisione të UEFA-s;

•3 zyrtarë në Komisione të FIFA-s;

•1 zyrtar të sigurisë të UEFA-s;

•1 zyrtar të UEFA-s për Antidoping;

•16 zyrtarë të FFK-së të diplomuar në akademitë e UEFA-s.

Këto shifra nuk janë thjesht numra, por dëshmi e gjallë e rritjes sonë të qëndrueshme.

Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar gjithpërfshirjes, sepse futbolli është i bukur vetëm kur është i hapur për të gjithë. Përmes programit “Grassroots”, FFK organizon çdo vit projekte të shumta për fëmijë dhe komunitetin, ku çdo vit përfshihen rreth 8.000 fëmijë dhe mbi 1.000 trajnerë, mësimdhënës dhe staf përcjellës.

Por angazhimi ynë shkon edhe përtej, pasi futbolli është bërë hapësirë e barabartë edhe për persona me nevoja të veçanta.

Nëpërmjet aktiviteteve të dedikuara për futbollin e personave me “Doën Syndrome”, për futbollin e personave të verbër, për futbollin e të amputuarve dhe futbollin në ecje, kemi krijuar mundësi reale që secili të ndjejë emocionin e lojës dhe të jetë pjesë e familjes së madhe të futbollit kosovar. Këto iniciativa janë dëshmi e fuqishme se futbolli është mjet i barazisë, solidaritetit dhe respektit ndaj diversitetit.

Në këtë përvjetor jubilar, përulemi me respekt para të gjithë atyre që mbajtën gjallë frymën e futbollit në ditët më të vështira, që nuk kursyen as centin e tyre të fundit dhe që besuan se një ditë Kosova do të ishte pjesë e familjes evropiane.

Me mirënjohje kujtojmë kontributin e kryetarëve të FFK-së: Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe legjendës sonë të pavdekshme, Fadil Vokrri, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre ndër dekada.

Mirënjohje e thellë për gjeneratën e artë, për gjeneratën e sakrificës e për të gjitha gjeneratat që nuk patën mundësi ta shfaqin talentin e tyre në Evropë, por që mbetën frymëzim për brezat e sotëm. Mirënjohje edhe për drejtuesit e klubeve, tifozët ‘Dardanët’ si dhe për të gjitha tifozeritë e klubeve që i qëndruan gjithmonë besnik futbollit që nga koha e okupimit e deri më sot.

Nën drejtimin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv, FFK mbetet e palëkundur në konsolidimin e futbollit dhe arritjen e objektivave të mëdha: kualifikimin në Kampionat Evropian e Botëror. E për ta arritur këtë, jemi të vetëdijshëm se kërkohet vazhdimësi në investime, rritje e mëtejshme e profesionalizmit dhe respektim i plotë i strategjisë së zhvillimit afatgjatë. Por, tani është koha që edhe shteti të japë dorën e tij vendimtare: të finalizohen projektet e stadiumeve të nisura në qytetet e mëdha dhe të nisin sa më parë punimet për Stadiumin Nacional. Ky projekt është më se i nevojshëm për të dëshmuar pjekurinë tonë si shoqëri dhe për t’u ofruar Dardanëve një shtëpi të dinjitetshme.

Urime 10-vjetori i anëtarësimit në UEFA e FIFA të gjithë komunitetit të futbollit dhe qytetarëve të Kosovës.

Ky është jubile i përbashkët, i sakrificës dhe i krenarisë sonë.

Vazhdojmë bashkë, me përgjegjësi e krenari, me futbollin, për Kosovën!”.

InfoShqip