E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

“7 qershori, situatë e përsëritur”/ Kurti për Osmanin: Gjithkush mund të ketë ambicie

Për kryeministrin përsëri në detyrë, Albin Kurti zgjedhjet e 7 qershorit nuk janë një situatë e re, por vetëm votime të përsëritura, madje me pretendimin se në këto votime partia e tij do të tejkalojë rezultatin e 28 dhjetorit.

“Rrjedhimisht nuk mund të themi që kemi një situatë krejtësisht të re, kemi zgjedhje të përsëritura që nuk ka qenë e thënë që të mbahen, mirëpo meqë bojkoti opozita, meqë nuk dëshironte të ishte as minimalisht konstruktive ja po shkojmë edhe një herë drejt 7 qershorit për ta përsëritur e tejkaluar 28 dhjetorin.”

Teksa foli për bashkëpunimin mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku në këto zgjedhje, ai e komentoi me ironi këtë lëvizje politike.

“Të gjithë që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e munden dhe ju dëshiroj sukses. Por, duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për cfarë do posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh, pra populli në zgjedhjet e 28 dhjetorit 51.1 për qind.

Kurti u pyet edhe për gjykatën speciale dhe vendimin për ta shtyrë verdiktin përfundimtar për rastin e katër ish krerëve të UÇK duke deklaruar se Kosova ka nevojë për gjykata normale dhe se Lufta e UÇK do të kujtohet dhe mësohet në histori si një luftë e drejtë.”

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor si pasojë e dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri deri më 28 prill, që ishte afati i fundit kushtetues për ta bërë këtë gjë. Votimet e së dielës së parë te qershorit janë të tretat në nivel nacional, prej shkurtit 2025.  / abcnews.al /

InfoShqip