Për t’u pajisur me leje ndërtimi ndërtuesit janë të detyruar të kontribuojnë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara. Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin, funksionimin dhe administrimin e Fondit të Gjelbër të Pemëve, në kuadër të zhvillimit të territorit e të hapësirave publike.
Sipas këtij vendimi çdo subject zhvillues ka detyrimin që për çdo 30 metër katror sipërfaqe ndërtimi të mbjelli 1 pemë. Në çdo rast jo më pak se 20 pemë për kat ndërtimi për të gjitha objektet rezidenciale dhe turistike, por jo më shumë se 500 pemë për çdo leje ndërtimi.
Vendimi parashikon deytrime dhe për ato që ndërtojnë shtëpi individuale banimi, vila, magazina bujqësore dhe industriale. Konkretisht dhjetë pemë për objekt. Ndërkohë për centralet e prodhimit të energjisë përcaktohet mbjella e deri 500 pemë për leje ndërtimi.
Para lëshimit të lejës së ndërtimit, subjekti zhvillues depoziton një deklaratë përgjegjësie, me anë të së cilës pranon kushtet, angazhohet për përmbushjen e detyrimit për mbjellje të fidanëve dhe garanton realizimin e detyrimit, brenda afateve të lejes. Detyrim për të kontribuar në fondin e gjelbër kanë dhe ata që dëshirojnë të përdorin hapësirat publike.
Vendimi I Këshillit të Ministrave përcakton kontributin me 1 pemë për çdo tavolinë në rast se kërkohet të vendosen karrike në hapësirën publike. Kjo realizohet duke kontribuar në formë fizike ose duke paguar për pemë në funksion të fondit të gjelbër të bashkisë përkatëse.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit , në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit përcaktojnë llojet e bimësisë në përputhje me karakteristikat territoriale dhe kushtet mjedisore të zonave përkatëse.
Ky vendim parashikon rritjen e sipërfaqeve të gjëlbëruara dhe përmirësimin e cilësisë së jetës dhe hapësirave publike dhe hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare./abcnews.al
