E enjte, 14 Maj 2026
Lajme

Provimi i jurisprudencës në shqip: Qeveria e RMV-së paralajmëroi “së shpejti” zgjidhje

Qeveria E Maqedonise 696x435 1

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur për Portalb.mk se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ndërsa së shpejti pritet të prezantohet një draft-zgjidhje që, sipas tyre, do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe standardet ndërkombëtare.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju informojmë se Qeveria po punon aktivisht për të gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe pritet që së shpejti të paraqitet draft-zgjidhja, e cila do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Portalb.mk.

Nga Qeveria theksojnë se në këtë fazë nevojitet “durim dhe qasje konstruktive” nga të gjitha palët e përfshira dhe bëjnë thirrje që fokusi të jetë te zgjidhjet, e jo te politizimi i çështjes.

“Njëkohësisht, dëshirojmë të theksojmë se grupet e punës tashmë po punojnë për përgatitjen e një zgjidhjeje që do të përmbajë të gjitha standardet e nevojshme dhe do të kontribuojë në kapërcimin e sfidave afatgjata që lidhen me këtë çështje”, thuhet më tej në përgjigje.

Qeveria shton se detaje më konkrete do të publikohen pasi të finalizohet procesi.

Kjo përgjigje vjen në kohën kur studentët shqiptarë kanë paralajmëruar një protestë të re më 18 maj në Shkup, duke kërkuar mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Çështja është shoqëruar me reagime dhe përplasje institucionale në muajt e fundit. Derisa Ministria e Drejtësisë ka insistuar se ligji aktual nuk e lejon mbajtjen e provimit në shqip, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe Avokati i Popullit kanë kërkuar harmonizim të legjislacionit me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski dje deklaroi se shumë shpejt do të dalin me propozim-zgjidhje.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

The post Provimi i jurisprudencës në shqip: Qeveria e RMV-së paralajmëroi “së shpejti” zgjidhje appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip