E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Debatet brenda mazhorancës/ Muka: Nëse PS do ishte në opozitë do kishte “kasaphanë”! Kaziaj: Ka humbur parlamentarizmi

3 1 710x400

Ministrit i Bujqësisë, Andis Salla mungoi në interpelancën e kërkuar nga deputeti socialist Erion Braçe  për çështjen e kafshëve të rrugës dhe mënyrën e trajtimit të tyre pas ngordhjes.

Braçe e cilësoi mungesën e ministrit si mungesë të rëndë respekti ndaj Kuvendit dhe një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë politike për situatën alarmante në sektorin e veterinarisë dhe menaxhimin e kafshëve endacake.

I ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus, avokati Altin Kaziaj u shpreh se ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët. Referuar këtij debati, por edhe zhvillimeve të tjera brenda PS-së, Kaziaj i qujti si një dobësim të funksionit të Parlamentit.

Ai shtoi se qytetarët shpesh ndikohen nga përfitimet personale në procesin e votimit, duke mos kërkuar më pas llogari nga qeveria. Sipas Kaziajt, qytetarët duhet të mësohen t’i kërkojnë llogari shtetit dhe institucioneve.

Ndërkohë gazetari Klevin Muka tha se nëse PS-ja do të ishte në opozitë, situata politike do të ishte shumë më e ashpër.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Konfliktet brenda PS-së u panë edhe sot brenda Kuvendit.

Kaziaj: Në këtë republikë parlamentare ka humbur parlamentarizmi, pra ka rënë shteti. Ministri është i detyruar të vijë në interpelancë kur e kërkon një deputet. Ata s’kanë çfarë bëjnë më me të djathtën, se në fillim thonin e ka fajin LSI-ja. Kjo është një qeveri që e ka fituar atë mandat si e ka fituar. Ky popull jemi ne që votojmë ose e shesim votën për të mbajtur një vend pune, një përfitim monetar dhe pastaj s’kërkojmë llogari qeverisë. Ata janë në qeveri dhe qytetarët duhet të mësohen t’i kërkojnë llogari shtetit.

Muka: Më pëlqen roli që do të marrë Peleshi herë pas here si një njeri me dorë të hekurt. Nëse do ishin në opozitë, mes tyre do kishte një kasaphanë të madhe.

/vizionplus.tv

InfoShqip