E premte, 15 Maj 2026
Lajme

“Probleme të mëdha në burgje”, Avokati i Popullit: Kafazi i xhamit të përdoret rast pas rasti. Qelitë plot me të paraburgosur

WhatsApp Image 2026 05 15 At 14.46.26 719x400

Nga Pogradeci, Avokati i Popullit Endrit Shabani ka komentuar trajtimin e të burgosurve në institucionet  e vuajtjes së dënimit,  por edhe për akuzat që më herët ka ngritur ish-presidenti Ilir Meta për persekutim në burgun 313 në Tiranë.

Vetë institucionoi i Avokatit të Popullit  në një raport të nëntorit të kaluar gjeti shkelje dhe kërkoi marrjen e disa masave.

Endri Shabani: Pa dyshim, shtetasi Ilir Meta apo shtetas të tjerë kanë paraqitur ankesa pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe janë trajtuar njësoj si çdo qytetar tjetër. Por për mua prioritet nuk janë të burgosurit VIP. Prioritet janë qytetarët që nuk kanë mundësi të dëgjohen. Raporti ynë është bërë publik dhe kushdo mund ta lexojë. Por fokusi ynë kryesor janë kushtet çnjerëzore në të cilat mbahen sot shumë persona në institucionet e vuajtjes së dënimit, veçanërisht ata me probleme shëndetësore. Në burgjet e Durrësit, Lezhës dhe institucione të tjera ku mbahen persona me probleme shëndetësore apo me masa sigurie, kemi konstatuar kushte të papranueshme: mungesë trajtimi të duhur mjekësor, vonesa në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore dhe probleme serioze në trajtimin e tyre.

Përsa i përket çështjes së “kafazit të xhamit”, Shabani tha se ai nuk  përbën automatikisht shkelje të të drejtave të njeriut. Por përdorimi i tij duhet të vlerësohet rast pas rasti.

Endri Shabani: Ai duhet të aplikohet vetëm në rastet kur ka rrezikshmëri nga personi i akuzuar, rrezik për largimin e tij, apo rrezik për sigurinë e tij dhe të të tjerëve në sallën e gjyqit. Sa i përket paraburgimeve, vëmendja sot është rritur sepse në paraburgim ndodhen edhe njerëz të pushtetshëm. Por nuk duhet harruar se ata përfaqësojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të personave që ndodhen sot në paraburgim. Ne, si institucion i Avokatit të Popullit, por edhe Këshilli i Europës, e kemi ngritur këtë si problematikë serioze. Sot, rreth 60% e personave që ndodhen në burgjet shqiptare nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Pra, janë në burg ndërkohë që hetimi apo procesi gjyqësor ndaj tyre ende vazhdon. Kjo përbën shqetësim serioz për të drejtat e njeriut, sepse edhe legjislacioni shqiptar e parashikon paraburgimin si masë përjashtimore. Askush nuk duhet të mbahet në burg pa një vendim përfundimtar, përveç rasteve kur plotësohen kushtet e përcaktuara qartë nga ligji.

Shabani kishte një koment edhe për hartën e re gjyqësore.

Endri Shabani: Këto reforma nuk duhet të cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve, pavarësisht vendit ku ata jetojnë. Ato nuk duhet të krijojnë pabarazi.Nuk mund të ndodhë që një qytetar që jeton në një qytet të madh të ketë më shumë akses në drejtësi dhe shërbime, ndërsa një qytetar që jeton në një zonë më të largët të vuajë neglizhencën e shtetit për shkak të mënyrës se si është organizuar harta gjyqësore apo reforma administrative. Ky është shqetësimi që kemi ngritur. Aktualisht jemi duke përgatitur edhe një raport të veçantë për të adresuar aksesin në drejtësi.

Shabani tha se  sot gjykatat shqiptare punojnë nën kapacitet, teksa po ashtu ka një ngarkesë shumë të madhe me dosje që ndikon drejtpërdrejt te qytetarët që kërkojnë drejtësi.

InfoShqip