
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një takim me pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen (KLSM), programi më i lartë i arsimit ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimit u diskutua mbi sfidat aktuale të sigurisë, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe rolin e edukimit strategjik në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Gjatë takimit, Ministri Nufi theksoi se përtej leksioneve akademike, një rëndësi të veçantë ka edhe marrëdhënia mes pjesëmarrësve të kursit, duke e konsideruar atë si një element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
KLSM, i themeluar në standardin aktual me mbështetjen e “George C. Marshall European Center for Security Studies”, zhvillohet në gjuhën angleze dhe përfshin pjesëmarrës ushtarakë e civilë nga Shqipëria, vendet e rajonit, NATO dhe shtete partnere. Që prej vitit 2012-të, kursi mban statusin “NATO Listed Course”, duke u kthyer në një platformë të rëndësishme për formimin e drejtuesve strategjikë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Programi 12-javor përfshin module mbi mjedisin global të sigurisë, organizatat ndërkombëtare, NATO-n, lidershipin dhe komunikimin strategjik, ndërsa leksionet zhvillohen nga ekspertë vendas e të huaj, përfaqësues diplomatikë dhe drejtues institucionesh të sigurisë.
