E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Nga Libani te KF Istogu, rrëfimi unik i portierit Mohamad Taha: Unë luaj futboll, por familja ime jeton nën bomba çdo ditë

Image

Portieri Mohamad Taha ka rrëfyer për herë të parë adaptimin në futbollin e Kosovës, pavarësisht që gjithnjë e ka mendjen tek familja e tij nga Libani, shtet ky që po bombardohet vazhdimisht nga Izraeli.

Taha para dy vite e gjysmë erdhi në Kosovë, duke nënshkruar për Fushë Kosovën, ndërsa që një vit e gjysmë është pjesë e skuadrës së Ligës të Parë, Istogu.

Në një intervistë për Telegrafin, Taha ka treguar se është i dashuruar me Kosovën, andaj edhe po ëndërron që qëndrojë përgjithmonë këtu.

“Jam në Kosovë prej dy vitesh – dy sezone të plota. Mund të them vetëm një gjë: nëse më jepet mundësia, do të doja të qëndroja këtu gjatë gjithë karrierës sime”.

Image

“Në fakt, asgjë nuk ishte e vështirë, sepse kur erdha këtu isha te skuadra Fushë Kosova, ku kalova një vit e gjysmë. Aty u respektova dhe u trajtova sikur të isha në vendin tim. U bëra pjesë e familjes së Fushë Kosovës dhe ende jam pjesë e kësaj familjeje. Edhe jetoj në Fushë Kosovë, sepse i dua njerëzit e Fushë Kosovës dhe secilin që punon në klubin e Fushë Kosovës. Këtu është shtëpia ime”.

Taha deklaroi se njerëzit në Kosovë e kanë pritur mjaftë mirë andaj edhe ambientimi ka qenë i lehtë.

“Siç të thashë edhe më herët, unë ndihem si në shtëpi këtu dhe jam trajtuar shumë mirë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Nuk dua të përmend emra, sepse nuk dua të harroj dikë, por falë Zotit, të gjithë kanë qenë shumë të mirë me mua”.

“Jam shumë i impresionuar nga kultura islame, sepse vij nga një vend mysliman, dhe jam i lumtur që kjo më ndihmoi të përshtatem shpejt”.

Pasi Fushë Kosova ra nga Liga e Parë, Taha vendosi që të bëjë një tjetër hap në karrierë për t’iu bashkuar Istogut, me të cilët ka vendosur t’i ndajë rrugët në fundin e këtij sezoni.

Image

“Te Istogu u bashkova në janar për gjysmë sezoni, vetëm për ta vazhduar sezonin në Ligën e Parë. Siç e dimë, Fushë Kosova ra nga liga dhe kishte disa probleme financiare, prandaj Istogu ishte një hap për të vazhduar sezonin tim. I falënderoj që ma dhanë këtë mundësi. Edhe ata më trajtuan shumë mirë. Por tani kontrata ime po përfundon dhe, sigurisht, po shikoj për opsione të reja dhe më të mira, me dëshirën e Zotit”.

27-vjeçari është tepër i lumtur sa po kërkon edhe një pasaportë kosovare, ndërsa ëndërron edhe të luajë për Kosovën në nivelin ndërkombëtar.

“E ardhmja në Kosovë? Siç ta thashë, 100 për qind e dua të ardhmen time këtu dhe të ndërtoj gjithçka këtu. Pse jo, ndoshta një ditë të më jepet edhe pasaporta e Kosovës dhe të luaj për Kombëtaren do të ishte një ëndërr për mua. E dua Kosovën”.

Image

Edhe pse gjithçka po shkon për mrekulli në aspektin sportiv, mendja e portierit padyshim mbetet te shteti i tij, Libani, që fatkeqësisht po bombardohet vazhdimisht nga Izraeli.

Tensionet dhe përplasjet në Liban kanë shpërthyer gjatë viteve 2023–2025 për shkak të konfliktit në Gaza dhe shkëmbimeve të sulmeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Ushtria izraelite ka rrafshuar zona të tëra qytetesh dhe fshatrash në Liban, ndërsa vazhdon me planet për të vendosur kontroll në zonë.

Që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë afër 3 mijë persona, kanë plagosur mbi 8 mijë të tjerë dhe kanë zhvendosur më shumë se 1.6 milion, rreth një e pesta e popullsisë së vendit, sipas zyrtarëve libanezë.

“Sigurisht, e gjithë familja ime është në Liban. Unë jam 100% i fokusuar në futboll, por natyrisht është e vështirë. Mendoj për ta gjithë kohën dhe jam shumë i shqetësuar për ta. Shpresoj që më e mira të ndodhë për ta dhe për Libanin. Libani është mjaft i fortë që, me dëshirën e Zotit, të bëhet një nga vendet më të mira në botë.

“Kur dikush më pyet për presionin në futboll, nuk e marr si presion të vërtetë. Presioni i vërtetë është për familjen time, miqtë dhe njerëzit e mi që jetojnë nën bomba çdo ditë – ky është presioni i vërtetë. Vetëm shpresoj që Zoti t’u japë forcë dhe t’i mbajë të sigurt”, nënvizoi ai./Telegrafi/

InfoShqip