
Drejtori i Përgjithshëm Policisë së Shtetit, Skender Hita, ishte i pranishëm ditën e sotme në ceremoninë e Diplomimit të 104 Oficerëve që përfunduan studimet Bachelor në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë.
Gjatë fjalës së tij Hita theksoi se përmirësimi i imazhit dhe rritja e besueshmërisë tek qytetarët është objektivi kryesor.
“Kërkojnë punonjës policie që dinë të dëgjojnë, të ndjekin dhe të trajtojnë me qetësi e maturi, brenda kornizave të ligjit, çdo shqetësim që qytetarët adresojnë te Policia e Shtetit.
Kjo është sfida jonë më e madhe: përmirësimi i vazhdueshëm i imazhit dhe rritja e besueshmërisë së Policisë së Shtetit te qytetarët.
Sepse imazhi i Policisë nuk ndërtohet nga godinat, as nga teknologjia dhe as nga deklaratat publike. Ai ndërtohet nga sjellja e çdo punonjësi policie, nga integriteti që tregoni edhe kur askush nuk ju sheh.
Nga sot, ju do të shërbeni si punonjës policie të rolit të parë drejtues, në rendin publik, policimin në komunitet, hetimin e krimit, sigurinë rrugore apo policinë kufitare.
Do të ketë netë të gjata, momente të vështira dhe vendime që kërkojnë karakter. Por mos harroni kurrë: polici nuk matet nga forca që përdor, por nga vetëpërmbajtja që tregon. Autoriteti nuk buron nga arroganca, por nga mirësjellja, përgjegjshmëria, profesionalizmi dhe besimi që frymëzon.
Autoriteti lartësohet nga guximi për të marrë vendimin e drejtë edhe kur është i vështirë, nga profesionalizmi me të cilin trajtoni çdo qytetar pa dallim dhe nga kuraja për të thënë “Jo” aty ku cenohet ligji dhe “Po” sakrificës kur e kërkon nevoja.
Sot, ndërsa merrni këtë certifikim, ju nuk po merrni vetëm një diplomë policore. Diplomat tuaja tashmë janë të certifikuara nga Ministria e Arsimit dhe ky është një hap cilësor i bërë nga Akademia e Sigurisë dhe Ministria e Arsimit.
Ndaj, gjej rastin të falënderoj stafin akademik dhe Ministrinë e Arsimit për këtë kontribut të rëndësishëm në funksion të rritjes së standardeve të arsimimit policor. Ky është një nga mesazhet e forta të transformimit të Policisë së Shtetit.
Teksa stafetën e arsimimit Bachelor ia kemi dorëzuar maturantëve, ju mbeteni dëshmia më e qartë se Policia e Shtetit është në një proces të pandalshëm transformimi në arsimim, trajnim dhe shërbim ndaj qytetarëve dhe ligjit”, tha Hita.
