KURBIN– Mes kodrave të Gjormit, fshihet një prej perlave më pak të njohura të Kurbinit. Kanioni i Plloçës, një mrekulli natyrore ende larg vëmendjes që meriton, po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion me potencial të madh turistik dhe historik.
Pamjet e ujëvarës që përshkon shkëmbinjtë e zonës krijojnë një panoramë mahnitëse, që studiuesit e krahasojnë me bukuritë alpine të Valbonës. Gjatë eksplorimit në zonë, studiuesi Ded Margjini rrëfen se Gjormi mbart gjurmë të të gjitha periudhave historike, që nga neoliti e deri në mesjetë.
“Është fshat që përcjell të gjitha fazat e historisë, nga neoliti, fazë e cila përfaqësohet me Shpellën e Pëllumbave, shpella me qeramikë neolitike. Mali i fshatit ka qeramikë të periudhës së hekurit, ndërsa ullishta është me qeramika të të gjitha fazave të mesjetës dhe struktura banimi të asaj periudhe.”, tha studiuesi
Në brendësi të zonës ndodhet edhe Shpella e Pellumbave, një tjetër pasuri natyrore dhe arkeologjike, me korridore dhe formacione të rralla stalagmitesh.
“Shpella në ambientin e fundit të saj është 23 metra e gjatë. Lidhet me korridore me katër ambiente. Tuneli ruan stalagmite me forma të çuditshme që vetëm natyra di t’i krijojë.”, pohoi ai.
Por një prej pikave më të veçanta mbetet vetë Përroi i Plloçës, nga ku kanioni ka marrë edhe emrin. Uji që ka gërryer shkëmbinjtë ndër vite, ka krijuar sipërfaqe të sheshta që ngjajnë me pllaka guri.
“Përroi i Plloçës ose Kanioni i Gjormit ka vlera të jashtëzakonshme. Emri lidhet me pllakat që vetë gërryerja e ujërave i ka sheshuar dhe zbukuruar. Duken si pllaka, prandaj e ka marrë këtë emër.”, u shpreh Margjini.
Sipas studiuesit, Gjormi ka qenë ndër vendbanimet më të rëndësishme të Kurbinit, çka provohet edhe nga dokumentet osmane të kohës.
Përveç kanionit, Gjormi ruan edhe një monument të rrallë natyror ullirin mijëravjeçar, që konsiderohet ndër më të hershmit në Ballkan. Me një perimetër që shkon deri në 13 metra dhe me një moshë që historianët e vlerësojnë rreth 2000-vjeçare, ai vazhdon ende të japë prodhim.
“Është një bukuri shumë afër Tiranës, Rinasit dhe Durrësit. I gjithë kanioni duhet të jetë monument natyre, por aktualisht mbetet vetëm në letra. Pushteti lokal duhet të jetë nxitësi kryesor në zhvillimin e këtyre pasurive.”, theksoi studiuesi.
Mes historisë, natyrës dhe potencialit turistik, Gjormi mbetet një thesar ende pak i zbuluar, që pret të kthehet në një nga destinacionet më të veçanta të veriut të Shqipërisë./abcnews.al
