Komuna Qendër po vendos sistem të ri të parkimit, me qëllim shpërndarje më të drejtë të hapësirës publike dhe ulje të kaosit në komunikacion në zonën qendrore të qytetit.
Sipas rregullave të reja, kartelat preferenciale të parkimit nuk do të jepen më për person, por për njësi banimi, përkatësisht sipas adresës.
Nga NP “POC” thonë se modeli i deritanishëm ka lejuar që një familje të regjistrojë disa automjete me kushte të privilegjuara, duke e ngarkuar edhe më shumë hapësirën e kufizuar për parkim, përcjell “TV21”.
Me sistemin e ri, automjeti i parë do të ketë parkim falas, për automjetin e dytë do të paguhen 500 denarë në muaj, ndërsa për të tretin 1.500 denarë.
Nga ndërmarrja thonë se qëllimi nuk është kufizimi, por vendosja e balancit dhe përdorim më racional i hapësirës publike, veçanërisht në lagjet Debar Maallo, Kapishtec dhe Bunjakovec, ku mungesa e vendeve për parkim është më e theksuar.
