E hënë, 18 Maj 2026
Lajme

IKMT prish ndërtimet në Sarandë, tolerimi i objekteve pa leje çoi në “shkrirjen” e Komisariatit të Policisë

Screenshot 1 22 718x400

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka zbarkuar këtë të hënë në Sarandë, duke ndërmarrë një aksion të gjerë për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje.

Janë pikërisht këto ndërtime të paligjshme  që dyshohet se janë toleruar prej kohësh që çuan në arrestimin e disa drejtuesve të Komisariatit të Policisë në Sarandë, si edhe në shkrirjen e të gjithë zinxhirit drejtues të këtij institucioni disa ditë më parë.

Operacioni i IKMT-së po zhvillohet në disa zona të qytetit dhe ka për qëllim rikthimin e ligjshmërisë në territor, pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe mosveprim nga ana e strukturave përgjegjëse.

Burime zyrtare bëjnë me dije se ndërhyrjet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të imtësishme për çdo objekt që rezulton të jetë ndërtuar në kundërshtim me ligjin.

Tre ditë më parë, një skemë e mirëfilltë korrupsioni dhe bashkëpunim me bandat kriminale u zbulua nga Policia.

I përfshirë në këtë skemë ishte vetë shefi i Komisariatit në Sarandë Gëzim Bashllari i cili është tashmë në pranga bashkë me tre vartësit e tij Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj.

Të katër zyrtarët e policisë akuzohen për tre vepra penale, shpërdorim detyre, kryerja e veprimeve arbitrare dhe mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme kryer në bashkëpunim.

Arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe AMP ku u zbulua ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numer nje në Sarandë.

Nga hetimet dyshohet se shefi i Komisariatit dhe vartësit e tij kanë lejuar ndërtimin pa leje kundrejt shumave të parave dhe nuk kanë marrë masa për parandalimin e paligjshmërisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skender Hita urdhëroi menjëherë hetimet dhe më pas u shkarkua gjithë zinxhiri komandues.

InfoShqip