Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se mbrëmë ka pranuar një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në përfundim të mandatit të saj.
Osmani ka theksuar se letra përmban vlerësim për punën dhe lidershipin e saj gjatë kohës në detyrë, si dhe një mesazh të qartë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Në letrën e tij, Presidenti Trump shpreh mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizon se pret me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në vitet në vijim. Ai vlerëson rolin e Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe partneritetin e qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara.
Osmani, nga ana e saj, ka falënderuar Presidentin amerikan për letrën dhe mbështetjen, duke ritheksuar se lidhja ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve mbetet e fortë dhe e qëndrueshme.
“Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
