Raporti për të drejtat e njeriut të publikuar nga Amnesty International nënvizon dhunën me bazë gjinore, thirrjet raciste, sulmet ndaj gazetarëve dhe mungesën e ligjit për bashkësi civile mes personave të gjinisë të njëjtë si problematike në Kosovë.
Sa i përket dhunës me bazë gjinore në Kosovë, Amnesty përmend një raport të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor ku thuhet se dhuna me bazë gjinore është në nivel të lartë, veçmas dhuna në familje.
Nga viti 2010 e deri më tani afër 60 gra janë vrarë në Kosovë.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen tyre.
Sa i përket mediave, Amnesty tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë vitit 2025 – deri në nëntor – raportoi për 63 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa si zhvillim pozitiv, vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2025 që shfuqizoi ligjin për të zgjeruar fuqitë e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Të drejtat e komunitetit LGBTI+ dhe të komuniteteve joshumicë kanë zënë po ashtu një vend në raport.
Në raport u tha se në këtë drejtim “nuk është bërë përparim” dhe legjislacioni nuk është çuar përpara gjatë krizës politike.
Ndërkaq, në seksionin e të drejtave për komunitetin rom dhe ashkali, Amnesty tha se familjet rome përballen me frikë nga dëbimi nga vendbanimet joformale, për shkak se nuk kanë dokumente zyrtare.
Raporti i organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International po ashtu adreson edhe çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës.
Raporti po ashtu përmend ngritjen e aktakuzës në gusht nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 21 personave në mungesë për dëbimin e 800.000 shqiptarëve civilë gjatë luftës, ndërsa ndalet edhe tek proceset gjyqësore në Hagë me rastin e ish kreut të UÇK Sali Mustafa që në këmbim të lirisë sipas gjykatës duhet të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktimat në procesin ndaj tij.
Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se nuk ka mjete që të paguajë zhdëmtimin.
Në raportin vjetor vihet në pah edhe kriza politike, pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, kur deputetët dështuan të konstituonin Kuvendin dhe Kosova mbajti sërish zgjedhje të reja parlamentare më 28 dhjetor.
Sipas A International bota është në prag të një epoke të re të rrezikshme, e nxitur nga luftrat që sjellin shkeje të të drejtave të njeriut. / /

