Aktorja e njohur amerikane Anne Hathaway është shpallur “gruaja më e bukur në botë” për vitin 2026 nga revista People, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga figurat më të spikatura të Hollywood-it.
E njohur për role ikonike në filma si The Princess Diaries, Les Misérables dhe The Devil Wears Prada, Hathaway vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes edhe pas më shumë se dy dekadash karrierë.
43-vjeçarja po përgatitet për një vit të ngjeshur artistik, me pjesëmarrje në pesë projekte filmike. Mes tyre është edhe vazhdimi i shumëpritur The Devil Wears Prada 2, i cili pritet të dalë në kinema më 1 maj.
Në intervistën për People, aktorja u shfaq në kopertinë me një fustan elegant të zi nga Tamara Ralph dhe ndau gjithashtu preferencat e saj muzikore, ku përmendi artistë si Bad Bunny, Billie Eilish dhe Madonna.
Duke reflektuar mbi jetën dhe karrierën, Hathaway tha se me kalimin e viteve ka mësuar të jetë më e qetë me veten dhe të shijojë më shumë punën dhe jetën, veçanërisht pas të 40-ave.
Ajo foli edhe për rikthimin në rolin e Andy Sachs pas gati 20 vitesh, duke e përshkruar përvojën si emocionale dhe të gëzueshme. Aktorja theksoi se familja e saj — bashkëshorti Adam Shulman dhe dy fëmijët — mbetet mbështetja më e madhe në jetën e saj. /GazetaExpress/

