
Një formacion gjeologjik në malet e Turqisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, pasi disa studiues pretendojnë se mund të përfaqësojë mbetjet e Arkës së Noeut.
Sipas Biblës, kjo anije gjigante shpëtoi njerëzimin dhe kafshët nga shkatërrimi gjatë një përmbytjeje katastrofike rreth 4.300 vite më parë.
Një ekip studiuesish amerikanë që punon në formacionin Durupınar, pranë malit Ararat, ka raportuar së fundmi zbulimin e strukturave nëntokësore që ata i lidhin me përshkrimet biblike.
Andrew Jones, studiues i pavarur nga projekti “Noah’s Ark Scans”, përdori radar depërtues në tokë dhe deklaroi se ka identifikuar një rrjet “korridorësh” që bashkohen në një hapësirë qendrore bosh, të cilën e ka quajtur “atriumi”.
“Zoti i tha Noeut të merrte kafshët. Këto hapësira duket se nuk janë të rastësishme. Ato ndjekin një model të qartë,” tha Jones për GB News, duke shtuar se teknologjia GPR lejon “shikimin nën sipërfaqen e tokës përmes radarit”.


Ai gjithashtu theksoi se analiza me teknologji infra të kuqe (IRT), e cila zbulon nxehtësinë dhe strukturat e fshehura nëntokësore, sugjeron praninë e një forme që ngjan me trupin e një anijeje të varrosur thellë në tokë.
Formacioni Durupınar ndodhet rreth 18 milje në jug të malit Ararat, maja më e lartë e Turqisë, dhe u bë i njohur për botën moderne vetëm në mesin e shekullit XX. Sipas raportimeve lokale, reshjet e mëdha dhe tërmetet në vitin 1948 zbuluan strukturën pasi larguan baltën përreth, duke e bërë të dukshme për herë të parë.
Bibla përshkruan se Arka e Noeut u ndal “në malet e Araratit” pas një përmbytjeje 150-ditore që shkatërroi çdo gjallesë jashtë saj.
Sipas përshkrimeve biblike, arka kishte përmasa rreth 515 metra gjatësi, 86 metra gjerësi dhe 52 metra lartësi, të ndërtuara për të strehuar Noeun, familjen e tij dhe kafshët.
Debati për vendndodhjen e Arkës së Noeut ka vite që vazhdon. Ndërsa një pjesë e shkencëtarëve e konsiderojnë formacionin si një strukturë natyrore gjeologjike, të tjerë besojnë se mund të jetë diçka shumë më e veçantë.
Ekipi i “Noah’s Ark Scans” mbron këtë të fundit. Sipas Jones, në vitin 2024 u analizuan 88 mostra dhe u gjetën nivele të larta të kaliumit, të cilat sipas tij mund të lidhen me dekompozim të materialit drusor.
“Për shkak të klimës shumë të ftohtë, shumë pjesë mund të jenë ende të ruajtura dhe të petrifikuara. Zona kalon rreth gjashtë muaj në vit e ngrirë,” thuhet në një deklaratë të ekipit.
Jones ka deklaruar gjithashtu se janë zbuluar struktura këndore deri në 6 metra nën tokë, të cilat mund të përfaqësojnë dhoma poshtë një platforme të ngjashme me kuvertën e një anijeje.


Bibla (Zanafilla 6:14) përshkruan: “Bëj një arkë prej druri gopher; vendos ndarje brenda saj dhe lyje me zift nga brenda dhe nga jashtë.”
“Ky nuk është një peizazh që do të prisje nga një shkëmb natyror apo baltë e rastësishme,” tha Jones për Christian Broadcasting Network. “Por është pikërisht ajo që do të prisje nëse bëhet fjalë për një strukturë të ndërtuar nga njeriu.”
Sipas ekipit, edhe analiza e bimësisë ka treguar dallime mes brendësisë së formacionit dhe zonës përreth, gjë që ata e interpretojnë si tregues të mundshëm të origjinës artificiale.

Një tjetër anëtar i ekipit, William Crabtree, tha se është identifikuar edhe një tunel i mundshëm që shtrihet nga maja e formacionit drejt qendrës dhe është i kalueshëm në këmbë.
Megjithatë, studiuesit pranojnë se provat përfundimtare ende mungojnë. Sipas Jones, qëllimi është të arrihet në brendësi të strukturës përmes shpimeve dhe kamerave.
“Qëllimi nuk është vetëm analiza e tokës apo skanimet GPR, por të hyjmë brenda strukturës,” tha ai. “Nëse do të kemi mundësi sezonin e ardhshëm, do të provojmë të marrim mostra të thella dhe të shohim çfarë ndodhet brenda.”
Ai shtoi: “Kur hapen dyert, ne vazhdojmë punën në terren.” /GazetaExpress/
The post “Misteri i Arkës së Noeut thellohet: Struktura në Turqi me tunele nëntokësore ngjason me përshkrimin biblik” appeared first on Gazeta Express.
