Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj mënyrës siç thonë se si Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka thirrur dëgjimin publik për Projektligjin Nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
IKD thekson se përkundër faktit se tentativa për shmangie nga procedurat e rregullta parlamentare nuk është miratuar në seancë plenare, mënyra se si po zhvillohet tash ky proces dëshmon se po tentohet që një projektligj i një rëndësie të madhe që afekton të drejtat e njeriut të procedohet me nguti, pa dhënë kohën e nevojshme për një konsultim real, serioz dhe meritor të përmbajtjes së Projektligjit në fjalë.
“Ftesa për pjesëmarrje në dëgjimin publik është publikuar vetëm më pak se 24 orë përpara takimit. Një qasje e tillë nuk mund të konsiderohet serioze dhe as në përputhje me standardet minimale të një konsultimi ku kërkohet kontribut përmbajtësor dhe profesional për një projektligj kaq të ndjeshëm. Me një afat kaq të shkurtër, pjesëmarrja e akterëve relevantë reduktohet në formalitet dhe jo në mundësi reale për të dhënë kontribut meritor në këtë proces.
Në rastin konkret, duke qenë se Projektligji është duke u trajtuar sipas procedurës së rregullt, afati i përcaktuar për thirrjen e dëgjimit publik është në kundërshtim me Nenin 38, paragrafi 7 të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se ftesa për seancë dëgjimore duhet të shpallet në ueb-faqen e Kuvendit të paktën pesë ditë para takimit, së bashku me agjendën, projektligjin që do të diskutohet dhe materialet përcjellëse”, thuhet në reagim.
IKD kujton se Projektligj është rrëzuar dy herë në Gjykatën Kushtetuese, një herë për meritat e tij dhe një herë për procedurën e ndjekur.
“Derisa trajtohet për herë të tretë në Kuvend, në dy raste Qeveria nuk ka zhvilluar fare konsultime publike derisa në rastin tjetër ka shkurtuar në mënyrë arbitrare afatin e konsultimeve publike. Në këto rrethana, duke pasur parasysh këto aspekte dhe rëndësinë e këtij projektligji, çdo veprim që reflekton nguti, formatitetit apo përfshirje vetëm sa për të përmbushur një kërkesë procedurale, cenon seriozisht besueshmërinë e procesit dhe përmbajtjen e Projektligjit në fjalë.
Po ashtu, zhvillimi i këtij dëgjimi publik në rrethana të tilla, kur vendi ndodhet vetëm pak ditë para një afati kur pritet të shpërndahet Kuvendi, shton përshtypjen se qëllimi kryesor nuk është zhvillimi i konsultimeve meritore dhe gjithëpërfshirëse, por procedimi sa më i shpejtë i Projektligjit. Një ligj i tillë nuk duhet të trajtohet me nguti dhe as të shtyhet përpara përmes konsultimeve të organizuara në mënyrë të tillë që e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen substanciale të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë relevantë”, thuhet në reagim.
Për këto arsye, IKD vlerëson se pjesëmarrja në këtë dëgjim publik do të nënkuptonte vetëm validim të një tendence për procedim të përshpejtuar, jo adekuat dhe përfshirje vetëm formale në konsultime publike.
“Prandaj, IKD njofton publikisht se nuk do të marrë pjesë në këtë takim. IKD deri më tani ka dhënë kontribut të vazhdueshëm për këtë Projektligj, që nga koha e inicimit të tij. Kjo duke marrë pjesë në të gjitha takimet e mbajtura, duke publikuar analiza, dërguar komente dhe marrë pjesë në takimet e Komisionit të Venecias përkitazi me këtë Projektligj. IKD mbetet e përkushtuar që të kontribuojë tutje në çdo proces serioz, të rregullt dhe gjithëpërfshirës të konsultimit publik, ku koha, forma dhe mënyra e organizimit të mundësojnë trajtim meritor të çështjeve të ngritura. Megjithatë, pjesëmarrja në procese të organizuara në mënyrë të ngutshme dhe formale nuk i shërben cilësisë së legjislacionit dhe interesit publik”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
