Shqipëria ka përparuar në plotësimin e kushteve për çeljen e fondeve IPARD III dhe përfitimin e tyre nga fermerët.
Ministria e Financave ka përfunduar përgatitjen e paketës së akreditimit për Programin IPARD III, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aksesimit të fondeve të Bashkimit Evropian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.
Paketa e dorëzuar përfshin kërkesën për besimin e detyrave të zbatimit buxhetor, të shoqëruar me prova të detajuara mbi përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Dorëzimi i kësaj pakete përbën një moment kyç në përgatitjet për çeljen e fondeve të IPARD III, e cila synohet të realizohet gjatë vitit 2026.
Në vijim, procesi do të hyjë në fazën e vlerësimit nga shërbimet e Komisionit Evropian (DG AGRI), që përfshin analizën e detajuar të dokumentacionit dhe verifikime të mundshme në terren. Kjo fazë parashikohet të zhvillohet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
IPARD III ka 9 masa në total dhe vlera e parave që pritet të përfitojnë fermerët shqiptar është 112 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe 34 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ky program do të mbështesë fusha si infrastruktura rurale, ndërtimi i tregjeve, Agro-përpunimi apo Agro-turizmi, pylltaria, asistenca teknike e këshillimi.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dorëzuar në Bruksel më 2 prill dosjen me detyrat e përmbushura për të garantuar mbrojtjen e fondeve të BE-së ndërsa ka theksuar se brenda vitit fermerët do të përfitojnë nga këto fonde.
