
Kryetari i PD Sali Berisha komentoi vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pasurisë për protagonistët e dosjës hetimore që lidhet me tenderat në Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit, Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj dhe Ermal Beqiri.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha lexoi të gjitha pasuritë që i janë sekuestruar Ergys Agasit duke vënë në dukje se ai ende lëviz i lirë.
“Këto janë pasuritë e Ergys Agasit që në 19 prill levizte i shoqëruar me dy makina policie dhe pasuritë i merren 4 muaj pasi është shpallur në kërkim”, tha Berisha.
Berisha lexoi edhe pasuritë që i janë sekuestruar ish-drejtoreshës së AKSHI-tt, Mirlinda Karacanaj, duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili i doli në mbrojtje pak javë më parë.
“Është shumë e rëndësishme të të mësojnë pak për pasurinë e të gjorës Mirlinda Kaçanaj, e cila sipas avokatit të saj Edi Rama, as makinë nuk ka dhe as nuk din t’i japë, i jep një shoferi për të, dhe se jeton diku në një apartament me qera. Sipas hetimit, rezulton se Mirlinda apo prestanomi i Lindës së Surrelit, ka apartament në rrugën ‘Dervish Hima’, kati i tetë, ka apartament, ka pasuri në rrugën e Kavajës, 73 m katror, tjetër apartament. Ka në Qerret vilë, një tjetër s’po e gjejnë se kujt është ajo e Palasës, ka dhe një ullishte 1500 m katror, ka dhe autoveturë, se nuk kishte as veturë, thoshte Rama për të. Ishte e gjora ajo”, shtoi kreu i PD.
Në këtë situatë sipas Berishës, opozita ka vetëm një rrugë, vazhdimin e protestave.
“Ndaj dhe sot është më e domosdoshme se kurrë protesta jonë. Ndaj dhe sot beteja jonë është më jetike se kurrë për këtë vend. Në ndërgjegjen e çdo shqiptari duhet të jetë e qartë thellë se rruga e vetme për të ndaluar këtë të keqe të madhe është protesta”, tha Berisha.
Mbetet për tu parë se kur do të jetë protesta e 8 e opozitës kundër qeverisë Rama.
