Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Spasovski: OBRM-PDUKM në vitin 2018 kërkoi që qeveria teknike të mbetet në fuqi deri në hyrjen e Maqedonisë në BE

Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski sot reagoi ndaj propozim-ligjit për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke vlerësuar se miratimi i tij me procedurë të shkurtuar është në kundërshtim me parimet e përcaktuara dhe axhendën e reformave.

“Kjo zgjidhje ligjore e propozuar shkon përtej modelit dhe mënyrës se si u miratua Ligji për Qeverinë dhe është në kundërshtim me qasjen e dakorduar midis partive politike”, theksoi Spasovski.

Ai kujtoi se zgjidhja për ciklet zgjedhore dhe qeverinë teknike është rezultat i një marrëveshjeje politike midis katër partive më të mëdha, me garanci nga bashkësia ndërkombëtare, dhe se fillimisht ishte e kufizuar në zgjedhjet e vitit 2016. Përveç kësaj, ai theksoi se me kërkesë të OBRM-PDUKM-së në vitin 2018, e njëjta zgjidhje u ri-miratua pa afat kohor, pra me vlefshmëri deri në hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian.

Spasovski theksoi se argumentet aktuale për ndryshimin e ligjit janë në kundërshtim me qëndrimet dhe iniciativat e mëparshme të të njëjtëve aktorë politikë.

“Sot, po shprehen qëndrime që hedhin poshtë drejtpërdrejt kërkesat dhe propozimet e bëra në vitin 2018”, tha Spasovski.
Ai theksoi më tej se Ligji për Qeverinë është pjesë e një axhende më të gjerë reformash, e cila përfshin edhe kodin zgjedhor dhe kodin e ri penal.

“Duke miratuar një zgjidhje të tillë me nxitim, përmes një procedure të shkurtuar, nuk do të jemi në gjendje të përmbushim kriteret e axhendës së reformave, e cila parashikon një qasje sistematike dhe të plotë”, theksoi Spasovski./Telegrafi/

InfoShqip