Wednesday, 22 April 2026
Lajme

Hungaria heq veton për Ukrainën/ Ambasadorët e BE miratojnë 90 miliardë euro ndihmë për Kievin

Pas humbjes në zgjedhjet e 12 prillit, që i dha fund pushtetit të tij 16-vjeçar, Viktor Orbán ka hequr dorë nga bllokimi i ndihmës për Ukrainën. Ambasadorët e Bashkimit Europian miratuan sot paketën prej 90 miliardë eurosh, e cila qëndronte e pezulluar prej dhjetorit të kaluar për shkak të vetos hungareze.

Si kusht për këtë kthesë, Ukraina përfundoi riparimet në tubacionin “Druzhba”, duke lejuar rinisjen e furnizimit me naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë. Ndihma tashmë do të kalojë në fazat e tjera të miratimit në Këshillin Europian.

Ndërkohë, Rusia ka njoftuar bllokimin e naftës kazake që kalon përmes territorit të saj drejt Gjermanisë, duke filluar nga 1 maji. Moska e arsyetoi këtë lëvizje si një kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të reja europiane dhe kontrollit gjerman mbi rafinerinë e Rosneft-it në Schwedt.

Në rrafshin diplomatik, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi ashpër të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ai i cilësoi si “mungesë respekti” vizitat e tyre të shpeshta në Moskë pa ndaluar asnjëherë në Kiev. Zelensky theksoi se bisedimet për paqe duhet të fokusohen te rezultatet dhe jo te lokacioni, duke refuzuar sërish lëshimet territoriale në lindje të vendit.

InfoShqip