
Një aksident i rëndë hekurudhor është shënuar në Kopenhagen, ku dy trena janë përplasur “kokë më kokë” rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit, duke lënë pas 18 persona të plagosur, pesë prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas policisë, të gjithë të plagosurit janë transportuar në spitalet e zonës, ndërsa pesë prej tyre po trajtohen në gjendje kritike.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë pyjore në veri të qytetit Hillerød, në drejtim të stacionit Kagerup. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për shkaqet e aksidentit janë ende në zhvillim.
Megjithatë, sipas ekspertit hekurudhor Christian Madsen nga sindikata IDA, një nga skenarët më të mundshëm është gabimi njerëzor.
“Është e mundur që drejtuesi i trenit të mos ketë parë sinjalin e kuq dhe të ketë vijuar lëvizjen. Një tjetër mundësi është që përgjegjësi i sinjalistikës në stacion të ketë dhënë gabimisht dritën jeshile”, u shpreh ai, duke shtuar se në këtë zonë përdoret ende një sistem i vjetër sinjalizimi.
Përplasja ka shkaktuar dëme të mëdha në pjesën ballore të të dy trenave, njëri i verdhë dhe tjetri gri, me kabinat e drejtimit të shkatërruara dhe xhamat e thyer plotësisht. Megjithatë, sipas raportimeve, trenat nuk kanë dalë nga shinat.
Në momentin e aksidentit, në bord ndodheshin 37 pasagjerë. Operacionet e shpëtimit përfunduan gjatë orëve të mëngjesit, pas një mobilizimi të madh të policisë dhe shërbimeve të emergjencës.
Autoritetet lokale në Hillerød Municipality kanë ngritur një qendër ndihme për pasagjerët e padëmtuar dhe familjarët e tyre. Sipas koordinatorit të emergjencave, Michael Jørgen Pedersen, 21 persona u paraqitën në qendër, shumica prej tyre pasagjerë që po shkonin në punë dhe ishin të tronditur nga ngjarja.
Ndërkohë, zona e aksidentit është rrethuar dhe ekspertët po kryejnë hetime teknike për të zbardhur plotësisht rrethanat.
“Jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave për të kuptuar se si ndodhi aksidenti. Hetimet do të vijojnë edhe për një kohë”, deklaroi zyrtari i policisë Morten Kaare Pedersen.
Aksidentet hekurudhore janë të rralla në Danimarkë, por në vitin 2019 një përplasje tragjike trenash la pas tetë viktima dhe 16 të plagosur. Ndërsa në gusht të vitit 2025, një person humbi jetën pas përplasjes së një treni me një mjet bujqësor.
