
Puna e SPAK në katër muajt e drejtimit të Klodian Brahos ka qenë tema e kësaj të enjteje në “Quo Vadis” në Vizion Plus.
I ftuar në studio, gazetari dhe analisti Mentor Kikia tha se SPAK ka bërë një punë të mirë. Sipas tij, krahasuar me kohën e drejtimit të SPAK nga Altin Dumani, sot institucioni është më i konsoliduar, ndërsa më herët, nën drejtimin e Arben Krajës, është bërë më institucional.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Çfarë mendimi keni për gjithë këto sekuestrime?
Kikia: Kjo tregon sa punë të mirë kanë bërë ata dhe sa shumë hajdutë kemi ende nëpër këmbë. Për të mbetur te SPAK si simbolikë e luftës kundër korrupsionit, do të thoja se ndoshta, me heroizimin e një institucioni, po bëjmë gabim, pasi po eliminojmë llogaridhënien e institucioneve të tjera. Nuk është vetëm SPAK; çdo institucion ka agjenci kundër korrupsionit, të cilat, nëse do të funksiononin, SPAK nuk do të kishte këtë volum pune.
Në administratë, perceptimi është që “ne kemi për detyrë të vjedhim”. Kemi zhvlerësuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ka po aq instrumente në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni nuk përmblidhet vetëm në luftën e SPAK.
Në raport me dy drejtuesit e fundit, do të thoja që në kohën e drejtimit nga zoti Dumani i trembesha unifikimit të SPAK me emrin e tij, pasi kishte një tendencë të përgjithshme: Dumani, Dumani, Dumani – dhe po krijohej një lloj kulti i individit. E keqja do të ishte që, të nesërmen kur t’i mbaronte mandati Dumanit, të “binte” edhe SPAK.
Drejtuesi i jep frymëzim institucionit, por në mënyrë absolute nuk duhet të identifikohet me të. Në këtë këndvështrim, shoh se Braho e ka ulur stekën e rolit të drejtuesit si individ dhe SPAK është më shumë institucion. Në rastin e Dumanit, faji ishte edhe i opinionit publik, pasi lidhnim emrin e tij me institucionin.
Ajo që duhet të mbetet e pandryshuar është mbështetja qytetare. Sa i takon konfliktualitetit, mendoj se është një gjë pozitive. Në asnjë demokraci reale qeveritë nuk janë në paqe me drejtësinë; nëse do të ishte kështu, do të kishte problem.
Partia Socialiste në pushtet vazhdonte ta cilësonte SPAK si iniciator të hetimeve, si produkt të vetin. Kjo ndodhte sa kohë nuk kishte prekur pika nevralgjike; sapo u prek shteti, pati reagime me ndryshime ligjore. Ky është tregues pozitiv, pasi tregon se ky institucion nuk është i kontrolluar.
