E premte, 24 Prill 2026
Lajme

Kalaja: SPAK ka bërë hapa pas nën drejtimin e Brahos, me ardhjen e ambasadorit amerikan do të shohim çfarë do të ndodhë

Aa 20 577x400

Kreu i PD-së për degën Krujë, Aulon Kalaja, i ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka bërë një analizë të punës së SPAK në katër muajt e parë nën drejtimin e Klodian Brahos.

Sipas Kalasë, SPAK nën drejtimin e Brahos ka bërë hapa pas, ndryshe nga periudha kur drejtohej nga Altin Dumani. Megjithatë, ai thekson se puna e vërtetë mbetet për t’u parë në qershor, muaj kur pritet të emërohet ambasadori i ri fuqiplotë i SHBA-ve në vendin tonë.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Aulon, si je fillimisht?

Kalaja: Mirë.

Borakaj: Puna e SPAK?

Kalaja: Do të doja ta shihja në raport me mbështetjen që i kanë dhënë amerikanët SPAK-ut, të cilët kanë një ndikim jo të vogël. Këtë do ta lidhja edhe me datën 26 dhjetor, kur u tha se do të bëhej një vetting për kullat, për mënyrën se si janë ndërtuar. Para tre javësh ka përfunduar ky vetting dhe ende nuk kemi një raport. Unë shoh një tërheqje.

Borakaj: Pse?

Kalaja: Sepse SHBA u përfshi në një konflikt me Iranin dhe kjo çështje tashmë nuk është në fokus. Kujtoj që kjo ambasadë ka qenë e fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar ekonomik. Në rastin e zonjës Balluku nuk pati reagim. Mosreagimi në këtë çështje i jep të drejtë mendimit tim të parë. Gjermanët janë ata që janë më aktivë. Është e konfirmuar tashmë se deputetë të PS kanë dërguar materiale në drejtim të Gjermanisë.

Ajo që mund të them është se në SPAK ka edhe njerëz të korruptuar. Këta njerëz e kanë konsumuar drejtësinë para SPAK. Ka edhe raste problematike për mënyrën se si disa persona e kanë kaluar vettingun. Ashtu siç ka edhe profesionistë brenda SPAK.

Nëse krahasojmë këto katër muaj në raport me paraardhësin, unë mendoj se është bërë pas. Çështjet aty janë ulëritëse. Për momentin, Dumani në krahasim me zotin Braho është shumë herë më lart. Nuk pres ndryshime deri në qershor, derisa të vijë ambasadori i ri i SHBA-ve, ambasadori fuqiplotë. Kur ai të vijë në Shqipëri, mendoj se atëherë do të kemi zhvillime.

InfoShqip