E premte, 01 Maj 2026
Lajme

Irani i paraqet SHBA-së propozim të ri për t’i dhënë fund luftës

Maketa Iran1 771x400

Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara të Amerikës  një propozim të ri për t’i dhënë fund konfliktit në vazhdim, sipas agjencisë iraniane IRNA.

Sipas burimit, “Republika Islamike i dorëzoi të enjten në mbrëmje Pakistanit propozimin”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e tij.

Ky zhvillim vjen në një moment kur negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit duket se kanë ngecur, pa progres të dukshëm drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Edhe pse më 8 prill palët ranë dakord për një armëpushim, bisedimet vijojnë me synimin për një zgjidhje afatgjatë që do të garantonte stabilitetin në rajon.

Një raund i vetëm bisedimesh u mbajt më 11 prill në Pakistan, por përfundoi pa rezultat. Ndërkohë, Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur nga forcat iraniane, ndërsa SHBA vazhdon bllokadën ndaj porteve iraniane.

Më herët gjatë javës, një propozim i mëparshëm i Teheranit u refuzua nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas raportimeve të Axios, ai parashikonte shtyrjen e diskutimeve për programin bërthamor iranian.

Në të njëjtën kohë, kreu i drejtësisë iraniane, Gholamhossein Mohseni Ejei, deklaroi se Irani mbetet i hapur për dialog, por refuzon çdo politikë që imponohet përmes kërcënimeve.

“Republika Islamike nuk i ka shmangur kurrë negociatat, por nuk do të pranojmë që dikush të na imponojë politika”, u shpreh ai, duke shtuar se vendi “nuk e dëshiron luftën dhe nuk dëshiron vazhdimin e saj”.

Nga ana tjetër, presidenti Trump paralajmëroi së fundmi se Irani “duhet të reflektojë dhe shpejt”.

Zhvillimet e fundit tregojnë për një situatë të brishtë diplomatike, ku pavarësisht tensioneve, kanalet e komunikimit mbeten të hapura.

InfoShqip