E shtunë, 02 Maj 2026
Lajme

Hyrje të reja në “Ferma VIP 3”, Henri Rrufa i bashkohet garës. Festohet 37-vjetori i Indrit

3fb92f77 5ea5 4986 Bdd2 00fdb8275a21 701x400

Mbrëmjen e së premtes u transmetua nata e 11-të e spektaklit “Ferma VIP 3” në ekranin e Vizion Plus, një natë që solli gjithçka: hyrje të reja, sfida të forta, përplasje të ashpra, nominime vendimtare dhe surpriza plot emocione.

Që në nisje, vëmendja u përqendrua te roli i Sarës si kryefermere. Ndarja e punëve gjatë javës ndezi debate mes fermerëve, ku Iliri, Moza dhe Malbora shprehën rezerva, ndërsa Fabiola e kritikoi hapur, duke theksuar se prioritet për të mbetet vetja përpara detyrimeve në fermë.

Tensionet u rritën me situatën mes Adionit dhe Mozës, pas një misioni të dhënë nga Agai për të prishur lojërat. Ndërhyrja fizike e Adionit shkaktoi reagime, por pas sqarimit në studio, Moza mohoi të ishte ndjerë e dhunuar, duke mbyllur kështu një nga momentet më delikate të mbrëmjes.

Në vijim, loja kaloi në një fazë vendimtare me shpalljen e fermerëve më të preferuar nga publiku: Adioni, Fabiola, Gresa, Indri dhe Moza, ndërsa Sara ishte imune si kryefermere. Kjo bëri që 9 fermerë të përballeshin në sfidë, ku vetëm dy prej tyre i shpëtuan televotimit.

Sfida, e zhvilluar në kushte të vështira me baltë dhe ujë, kërkonte që fermerët të nxirrnin topin jashtë një kafazi. Pas një gare të fortë, Iliri dhe Malbora siguruan fitoren dhe shpëtimin, ndërsa Blerina, Dona,  Dj Bujaka, Visi, Soni, Vanesa  dhe Romiri kaluan në televotim, ku nëjri prej tyre do të eliminohet të hënën.

Mbrëmja solli edhe një hyrje të re në fermë. Henri Rrufa iu bashkua garës, duke shtuar konkurrencën dhe pritshmëritë për javët në vijim.

Emocionet kulmuan me festën e 37-vjetorit të Indrit. Pas mesnate, fermerët e surprizuan me urime, ndërsa momenti më prekës erdhi me mesazhin audio nga djali i tij dhe takimi me nënën, që e priste me tortë. Surprizës iu bashkua edhe Vanesa, duke forcuar lidhjen e tyre brenda fermës.

Ndërkohë, shkeljet e rregullave nuk munguan. Fabiola dhe gjashtë fermerë të tjerë u ndëshkuan, duke u dërguar te “fakiri”, çka shtoi presionin dhe tensionin në lojë.

Prime 11 u mbyll duke lënë pezull fatin e disa fermerëve në televotim, ndërsa gara hyn në një fazë gjithnjë e më të fortë, ku çdo vendim i publikut pritet të ndryshojë rrjedhën e lojës në ditët në vijim.

InfoShqip