Jose Mourinho ka hedhur poshtë zërat që e lidhin me një rikthim të mundshëm te Real Madridi, duke insistuar se nga klubi madrilen nuk ka pasur asnjë kontakt.
Trajneri portugez, që aktualisht drejton Benficën, u pyet në konferencë për shtyp nëse mund të marrë drejtimin e “Los Blancos” këtë verë, por përgjigjja e tij ishte e prerë.
“Jo, askush nga Real Madridi nuk ka folur me mua, mund ta garantoj këtë”, deklaroi 63-vjeçari, duke shtuar se nuk ka asgjë tjetër për të komentuar rreth kësaj teme.
Mourinho kujtoi gjithashtu se kontrata e tij me Benficën ka ende edhe një vit vlefshmëri. Ai mori drejtimin e klubit nga Lisbona në shtator të vitit 2025, si pasues i Bruno Lage, i cili u shkarkua pas një humbjeje në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, te Real Madridi situata mbetet e tensionuar. Alvaro Arbeloa është në krye të ekipit vetëm që nga janari, por presioni mbi të është rritur ndjeshëm pas rezultateve zhgënjyese: eliminimi nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, dalja e hershme nga Kupa e Mbretit, si dhe diferenca prej 14 pikësh me Barcelonën në La Liga.
Megjithatë, mediat sportive spekulative vazhdojnë të përmendin disa emra të mëdhenj si kandidatët e mundshëm për ta zëvendësuar Arbeloan, mes tyre Jose Mourinho, Zinédine Zidane, Didier Deschamps, Mauricio Pochettino, Jurgen Klopp dhe Massimiliano Allegri./Telegrafi/
