Votimi për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike në Korçë është ndërprerë që në orët e para të mëngjesit këtë të diel mes tensioneve dhe akuzave për manipulim të procesit.
Procesi u bllokua pasi një numër i konsiderueshëm drejtuesish lokalë, kryetarë dhe sekretarë seksionesh në qytet dhe fshatra nuk gjetën emrat e tyre në listat e votimit, duke u përjashtuar kështu nga e drejta për të votuar. Kjo situatë ka ngritur dyshime të forta për ndërhyrje dhe selektim të qëllimshëm të elektoratit brenda partisë.
Në garë për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Korçë janë sekretari aktual, Irvin Bode, dhe rivali i tij, Harito Zoto. Ky i fundit ka reaguar publikisht, duke deklaruar se procesi nuk mund të vijojë nëse listat nuk rishikohen dhe nuk garantohet një garë e ndershme.
Por tensionet nuk ndalen këtu. Burime brenda Partisë Demokratike hedhin akuza edhe më të rënda, duke pretenduar se kutitë e votimit janë manipuluar që në nisje të procesit. Sipas tyre, persona të caktuar kanë tentuar të ndikojnë rezultatin që në momentet e para, çka ka sjellë reagimin e përfaqësuesve të njërit krah.
Pikërisht për këto arsye, anëtarët e komisionit që mbështesin kandidatin Zoto kanë marrë kutitë e votimit dhe janë larguar nga selia, duke çuar në pezullimin e menjëhershëm të procesit.
Në prapaskenë, përplasja duket se shkon përtej një gare lokale. Zhvillimet kanë nxjerrë në pah ndarje të forta edhe mes drejtuesve politikë të Partisë Demokratike. Deputeti dhe njëkohësisht drejtues politik, Ivi Kaso, është rreshtuar hapur në mbështetje të Irvin Bodes, duke shtuar dyshimet se rezultati i zgjedhjeve mund të ketë qenë i paracaktuar./abcnews.al
