
40 deri në 50 persona paraqiten çdo ditë në QSUT pasi shfaqin shenja të alergjisë. Kjo periudhë cilësohet si piku i alergjive, me një rritje të dukshme të rasteve nga viti në vit.
“Tani jemi në periudhën e madhe të sezonit alergjik, një sezon i lidhur nga barishtet e këqija ose graset. Padiskutim që ka rritje të rasteve nga viti në vit ka rritje të dukshme të rasteve me alergji”, tha Mehmet Hoxha, mjek alergolog
Mjeku alergolog Mehmet Hoxha, shprehet se polinoza, ose alergjia nga polenet, nuk prek vetëm rrugët e sipërme të frymëmarrjes, por edhe mushkëritë, duke sjellë vështirësi të theksuara në frymëmarrje tek shumë pacientë.
“Polenet përgjithësisht janë grimca dashamirëse por po kthehen gjithnjë e më shumë në agresive për shkak të shumë ndryshimeve klimatike. Polinoza nuk mjaftohet vetëm me rrugët e sipërme të frymëmarrjes pra me hundë kollë fyt por është shumë e shprehur dhe prekja e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, të mushkërive. Azma bronkiale të lidhur me polimozëm sivjet ka qënë mjaft evidente”, shtoi Hoxha.
Bluzat e bardha apelojnë për më shumë kujdes gjatë kësaj periudhe, ndërsa theksojnë se pacientët duhet të heqin dorë nga vetë-mjekimi.
“Këshilla ime do ishtë, sa ke mundësi të shmangësh kontaktet me polenet. Të paktën në pikun e ditës nga ora 9 deri në orën 2 mundohu ta evitosh. Së dyti mos bëjë vetëmjekim. Vlerësimi nga ana alergologjike është i domosdoshëm. Pacientët duhet të heqin dorë nga vetëmjekimi dhe pacientët duhet të diagnostikohen saktë”, tha mjeku.
Polinoza prek kryesisht të rinjtë, duke shkaktuar simptoma si rrufë, teshtima, kruarje dhe bllokim hundësh, si edhe kollë irrituese. Në disa raste shoqërohet edhe me azmë bronkiale, simptomat e të cilës janë fishkëllimë dhe shtrëngim në gjoks.
