E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Pamjet e rënda të aksidentit në Durrës/ AMA thirrje gazetarëve: Nuk është informim, por abuzim me dhimbjen dhe uri për klikime!

Një aksident i tmerrshëm ndodhi mesditën e sotme në Durrës, ku një automjet përplasi për vdekje dy të mitur dhe aksidentoi rënd një të tretë.

Kryetarja e Autoritetit Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi u bëri thirrje gazetarëve dhe drejtuesve të medieve të mos transmetojnë pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur sot në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër u plagos rëndë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Krasniqi tha se “kjo që po ndodh nuk është gazetari, është abuzim me dhimbjen njerëzore. Nuk është informim kur dhuna, tragjedia dhe fatkeqësia kthehen në uri për klikime”.

“Të “vrasësh” dhe rivrasësh, të ekspozosh plagë të hapura dhe të ushqesh publikun me ulërima dhimbjeje dhe tronditjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe e çdo standardi. Gazetarë dhe drejtues të mediave mbani përgjegjësi! Ju nuk jeni vetëm transmetues lajmesh – jeni formësues të ndërgjegjes publike. Çdo fjalë e papërgjegjshme lëndon, çdo titull i tepruar dëmton, çdo kufi i kaluar rrënon besimin te Ju”, nënvizoi Krasniqi.

Duke iu drejtuar medieve Krasniqi kërkoi të respektojnë dinjitetin, të mbrojnë viktimat dhe të ndajnë informacion, jo traumë.

“Nëse gazetaria humbet njerëzoren, ajo humbet gjithçka”, tha Krasniqi.

Pamjet e rënda të aksidentit tragjik u siguruan edhe nga ABC News pas momentit të aksidentit, por  televizioni vendosi mos publikimin e tyre ne asnjë prej platformave të ABC News

InfoShqip