Deputetja e PD Ina Zhupa e konsideroi tragjedinë e ndodhur sot në Durrës, ku u përplasën për vdekje dy fëmijë dhe një i tretë po lufton për jetën në spital, si “një ditë të zezë që duhet të na shkundë të gjithëve”.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale Zhupa thekson se është koha që Kodi Penal t’i trajtojë shkelësit e rregullave të qarkullimit si autor të krimeve të rënda kundër jetës. Deputetja vë në dukje se kush drejton mjetin i dehur e bën me dijeni të plotë të pasojave, raporton A2CNN.
“Sot është një ditë e zezë që duhet të na shkundë të gjithëve. Nuk gjej dot fjalët e duhura për të shprehur ngushëllimet më të thella për familjet që kanë humbur pjesën e shpirtit të tyre, fëmijët e tyre. Lutem me gjithë zemër për shërimin e fëmijës së plagosur. Ky është rasti për të reflektuar si ligjvënës, nuk mund të vazhdojmë t’i quajmë “aksidente” apo “pakujdesi” raste kur dikush hipën i dehur në timon. Ky është një akt i vetëdijshëm, ku makina kthehet në armë dhe rreziku për jetën e të tjerëve është i qëllimshëm. Është koha që Kodi Penal të mos i trajtojë më këta persona si shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor, por si autorë të krimeve të rënda kundër jetës. Kush drejton mjetin në gjendje të dehur, e bën me dijeni të plotë të pasojave. Drejtësia duhet të jetë në lartësinë e duhur dhe të japë drejtësi të vërtetë”, shkruan Zhupa në mesazhin e saj.
Kujtojmë që katër fëmijë ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit. Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.
