Tre persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të dyshuar të një virusi në një anije turistike që po lundronte në Oqeanin Atlantik. Të paktën kështu ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në deklaratë thuhet se është konfirmuar një rast i Hantavirusit është konfirmuar, ndërsa pesë raste të tjera të dyshuara janë nën hetim. Një shtetas britanik raportohet se ndodhet në terapi intensive.
BBC shkruan se shpërthimi i virusit u raportua në bordin e anijes turistike MV Hondius, e cila po udhëtonte nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër.
Infeksionet me Hantavirus zakonisht lidhen me ekspozimin mjedisor, si kontakti me urinën ose jashtëqitjet e brejtësve të infektuar, por në raste të rralla mund të përhapen edhe nga njeriu te njeriu, aduke çuar në sëmundje të rënda respiratore.
Foster Mohale, zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë së Afrikës së Jugut, më herët i tha BBC-së se të paktën dy persona kishin vdekur.
Anija MV Hondius operohet nga kompania turistike me bazë në Holandë, Oceanwide Expeditions. Sipas itinerarit në faqen e internetit të Oceanwide Expeditions, MV Hondius u nis nga Ushuaia në Argjentinë më 20 mars dhe pritej të përfundonte udhëtimin më 4 maj në Kepin e Gjelbër.
Autoritetet e Afrikës së Jugut i thanë BBC-së se personi i parë që shfaqi simptoma ishte një pasagjer 70-vjeçar që vdiq në bord. Trupi i tij ndodhet tani në ishullin Saint Helena, një territor britanik në Atlantikun Jugor.
Bashkëshortja e tij 69-vjeçare gjithashtu u sëmur në bord dhe u evakuua në Afrikën e Jugut, ku vdiq në një spital në Johanesburg. Një britanik 69-vjeçar gjithashtu raportohet se është evakuuar në Johanesburg, ku po trajtohet në terapi intensive.
Sipas Oceanwide Expeditions, MV Hondius është një anije turistike polare me gjatësi 107.6 metra, me kapacitet për 170 persona në 80 kabina.
OBSH gjithashtu tha se po ndihmon në koordinimin midis shteteve anëtare dhe operatorëve të anijes për evakuimin mjekësor të dy pasagjerëve me simptoma, si dhe për një vlerësim të plotë të rrezikut për shëndetin publik dhe mbështetje për ata që janë ende në bord.
