
Ferizaj është shpallur kampion i Kosovës në volejboll për meshkuj, pasi në një finale dramatike mposhti Lubotenin me rezultat 3-2 dhe e mbylli serinë me 3-0 në fitore.
Ndeshja e tretë solli spektakël të vërtetë. Ferizaj e nisi fuqishëm duke fituar setin e parë 25/18, por Luboteni reagoi duke përmbysur rrjedhën e lojës dhe duke marrë dy setet në vijim (23/25, 19/25), duke e çuar ndeshjen drejt një drame të madhe.
Megjithatë, Ferizaj nuk u dorëzua. Në setin e katërt dominoi plotësisht me rezultat 25/14, ndërsa në setin vendimtar tregoi qetësi dhe karakter kampioni për ta mbyllur 15/12 dhe për të siguruar titullin.
Ky sukses vjen pas dy fitoreve paraprake në seri, ku Ferizaj fillimisht triumfoi 3-1 në ndeshjen e parë, ndërsa në të dytën fitoi bindshëm 0-3 ndaj Lubotenit.
Me tri fitore radhazi në finale, Ferizaj kurorëzohet me meritë kampion i Kosovës, duke dominuar serinë finale dhe duke treguar forcë në momentet vendimtare të sezonit.
The post Volejboll: Ferizaj e mbron titullin e kampionit appeared first on Gazeta Express.
