E martë, 05 Maj 2026
Lajme

Dita e madhe që Julian Alvarez e imagjinoi që kur ishte në shkollë si fëmijë

Image

Julian Alvarez pritet të jetë një nga figurat kryesore të Atletico Madridit në Londër, në një ndeshje që, sipas raportimeve, ai e ka “vizualizuar” prej vitesh.

Pavarësisht përkujdesjes së shtuar mjekësore pas përplasjes me Ezen në ndeshjen e parë – ku u detyrua të zëvendësohej – asgjë nuk e mban “La Aranan” larg një dueli që e ka ëndërruar prej kohësh.

Historia nis që në vitin 2016, vetëm një vit pasi Alvarez ishte futur në konviktin e River Plate në “Monumental”, ku të rinjtë e klubit kombinojnë shkollimin me përgatitjen sportive.

Image

Atëherë, në Buenos Aires, ndeshjet e Ligës së Kampionëve nisin në orën 16:00 dhe shpesh i “përplaseshin” me orarin e mësimit.

Kështu ndodhi edhe me gjysmëfinalen e kthimit të vitit 2016, kur Atletico luajti në Mynih kundër Bayern Munich të Pep Guardiolës për një vend në finalen e Milanos.

Julian, atëherë 16-vjeçar, e vendosi telefonin mbi bankë gjatë orës së mësimit, që të mos humbiste asnjë moment nga ajo përballje. Ai pa nga afër një nga netët më të famshme të Atleticos së Simeones, me golin e Griezmann që vulosi kualifikimin dhe e magjepsi.

Ajo mbrëmje, sipas njerëzve pranë tij, u kthye në një lloj “premtimi” për të ardhmen. Alvarez u thoshte trajnerëve: “Do ta shihni kur të jem atje”, edhe pse në atë kohë ishte ende në fillimet e rrugëtimit të tij në akademinë e Riverit, derisa Marcelo Gallardo i dha shansin e parë me ekipin e parë.

Fati deshi që vite më vonë, Guardiola – trajneri që ai e ndiqte në ekranin e telefonit – të bëhej edhe trajneri me të cilin Julián do të fitonte Ligën e Kampionëve.

Ndërsa sot, një dekadë pas asaj gjysmëfinaleje, ai gjendet në një situatë të ngjashme, por tani si protagonist i Atleticos, në një sfidë të madhe ku ëndrra e dikurshme nga bankat e shkollës po shndërrohet në realitet. /Telegrafi/

InfoShqip