Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, sondazhi “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News sjell një radiografi të thelluar të elektoratit shqiptar, duke zbuluar jo vetëm si votojnë qytetarët, por edhe pse një pjesë e tyre zgjedh të mos votojnë.
Të dhënat tregojnë se baza elektorale e dy partive kryesore mbetet fort ideologjike. Plot 91.5% e votave të Partisë Socialiste vijnë nga votues të majtë, ndërsa po e njëjta përqindje, 91.5% e votave të Partisë Demokratike, vijnë nga votues të djathtë.
Megjithatë, një ndryshim i lehtë vihet re nga zgjedhjet. Partia Socialiste arrin të tërheqë më shumë vota nga krahu i djathtë, 1.5%, krahasuar me PD-në, e cila merr vetëm 0.8% vota nga e majta.
Por çarja më e madhe ndodh brenda vetë së djathtës. Plot 24% e votuesve të djathtë zgjedhin një parti tjetër ose nuk votojnë fare, ndërsa kjo ndodh vetëm me 13.1% të votuesve të majtë.
Edhe elektorati gri rezulton i fragmentuar. Vetëm 7.7% e tij voton për PS dhe 7.1% për PD, ndërsa shumica dërrmuese, 63%, zgjedh të votojë parti të reja ose të mos votojë fare.
/ abcnews.al /
