
Chelsea ka publikuar një përditësim zyrtar mbi gjendjen e Jesse Derryt pasi adoleshenti u dërgua me urgjencë në spital gjatë ndeshjes së së hënës në Premierligë kundër Nottingham Forestit.
Lojtari i akademisë, që po bënte debutimin e tij të plotë me ekipin e parë, u përfshi në një përplasje shqetësuese që shkaktoi një ndërprerje të gjatë në “Stamford Bridge”.
Klubi konfirmoi se Derry u dërgua në një spital lokal si masë paraprake pas një incidenti serioz në pjesën e parë të humbjes 3-1 ndaj Nottingham Forestit.

Chelsea u përpoq të qetësonte tifozët menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
Në një deklaratë zyrtare, klubi tha: “Chelsea FC konfirmon se Jesse Derry është dërguar në spital si masë paraprake pas zëvendësimit të tij në pjesën e parë gjatë ndeshjes së sotme të Premierligës kundër Nottingham Forestit. Jesse është i vetëdijshëm, po flet dhe po i nënshtrohet kontrolleve paraprake. I urojmë shërim të shpejtë dhe falënderojmë stafin mjekësor për reagimin e shpejtë”.
Incidenti ndodhi në fund të pjesës së parë, kur Derry, i cili kishte marrë një shans të papritur nga trajneri i përkohshëm Calum McFarlane, u përplas me mbrojtësin e Forestit, Zach Abbottin.

I riu pati nevojë për oksigjen pas përplasjes kokë më kokë, që ndodhi ndërsa të dy lojtarët luftonin për një top të lartë në zonë.
Ndërsa Abbotti arriti të vazhdonte lojën, Derry qëndroi i shtrirë në fushë për më shumë se 10 minuta.
Ndërhyrja e stafit mjekësor ishte e menjëhershme dhe shqetësimi nga lojtarët e të dy skuadrave ishte i dukshëm, teksa 18-vjeçari mori trajtim përpara se të largohej me barelë nën duartrokitjet e tifozëve vendas.
Trajneri i përkohshëm McFarlane tha për “BBC Match of the Day” pas ndeshjes: “Të gjitha shenjat janë pozitive për momentin, kështu që shpresojmë që ai të jetë në gjendje të mirë dhe nga ajo që kemi dëgjuar, lajmet janë pozitive. Na vjen shumë keq për Jesse, mendova se luajti mirë. Na dha rrezik në sulm – një moment i madh për të që përfundoi në mënyrë të trishtë”.
Dëmtimi i njërit prej talenteve më premtues të klubit e përmbylli një ditë për t’u harruar për trajnerin e përkohshëm.
Në fushë, Chelsea u mposht 3-1, një rezultat që rrezikon shpresat e tyre për të siguruar një vend në Evropë përmes renditjes në kampionat.
McFarlane kritikoi fillimin “të papranueshëm” të skuadrës së tij në “Stamford Bridge” pasi pësuan dy gola brenda 15 minutave të para, duke kërkuar një reagim të fortë përpara përballjes së ardhshme me Liverpoolin./GazetaExpress/
The post Chelsea del me njoftim zyrtar për gjendjen shëndetësore të futbollistit të ri, i lënduar rëndë appeared first on Gazeta Express.
