Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë është njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.
Sipas një njoftimi për media nga Policia e Kosovës thuhet se fillimisht, i lënduari është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku ka ndërruar jetë.
“Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se rreth orës 02:20, pas një mosmarrëveshjeje në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Gjakovë, viktima është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër i moshës madhore, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Njësitë relevante policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti ‘Vrasje’ “, thuhet në njoftim.
Ndërkaq siç bëhet e ditur në njoftim, si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar dy persona të dyshuar.
“Njëri prej tyre, me inicialet Q. S., rreth orës 09:45 është vetëdorëzuar në polici dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë. Aktualisht, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
