E premte, 08 Maj 2026
Lajme

AMP nis hetimet, dyshime për shpërdorim detyre në Policinë e Durrësit pas tragjedisë me dy fëmijë të mitur

Durres 711x400

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për strukturat e Policisë së Durrësit pas aksidentit tragjik që u mori jetën dy fëmijëve të mitur.

Burime zyrtare bëjnë me dije se hetimet po përqendrohen jo vetëm te efektivët në terren, por edhe te drejtuesit e policisë vendore, për të verifikuar nëse ka pasur shpërdorim detyre apo favorizim ndaj 57-vjeçarit Nikoll Radaçi, konkretisht nëse duhej t’i ishte bllokuar më herët leja e qarkullimit.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Radaçin, i cili dyshohet se, në gjendje të dehur, humbi kontrollin e automjetit dhe përplasi katër fëmijë që ndodheshin në trotuar.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj në lagjen nr. 15 në Durrës. Si pasojë e përplasjes, dy fëmijë të moshës 9 dhe 12 vjeç humbën jetën, ndërsa një 8-vjeçar ndodhet në Spitali. Një tjetër fëmijë fatmirësisht shpëtoi pa lëndime.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

/vizionplus.tv

InfoShqip